28 Prill 2025

Shqipëria hap vende pune për të huajt

Tiranë, 29 prill - Nëse je shtetas i huaj dhe kërkon të punosh në Shqipëri, nuk është më e nevojshme të pajisesh me leje pune.

Me miratimin e ligjit “Për të huajt”, në mars të këtij viti, çdo punëmarrës ose i vetëpunësuar nga vendet e Bashkimit Europian mjafton të pajiset me një certifikatë regjistrimi në zyrat e punës.

Vite më parë, shtetasit e huaj që zgjidhnin Shqipërinë për të investuar apo edhe për të punuar pas nënshkrimit të një kontrate pune përpara mbërritjes në këtë destinacion, përballeshin me procedura burokratike të panumërta, orvatje që, përveç shpenzimeve, kërkonte kohë.

Ndërsa tani, pas miratimit të ligjit të ri “Për të huajt”, tregu i punës është liberalizuar, duke shmangur dokumentacionin e kërkuar më parë, ndërsa në fuqi mbetet vetëm regjistrimi në zyrat e punës.

Duke iu referuar të dhënave që zotëron Ministria e Punës, rezulton se numri i të huajve që punojnë në Shqipëri e kalon shifrën e 7 mijë personave, shifër që është rritur me 8% krahasuar me një vit më parë.

Ndërsa vetëm vitin e kaluar, në vend janë punësuar rreth 2500 të huaj. Mësohet se numri më i lartë i shtetasve të huaj që punojnë në Shqipëri janë turq, me 474 leje pune, shifër që pasohet nga shtetasit grekë, italianë, kanadezë dhe kinezë.

Duke marrë shkas nga kërkesat e larta të shtetasve të huaj që kërkojnë të punësohen në Shqipëri, mësohet se Ministria e Punës do të shpallë çdo fillim tetori numrin e vendeve të lira të punës për të huajt, për t’u krijuar më shumë hapësira të papunëve shqiptarë.

Mirëpo, krahas lehtësimit që Ministria e Punës u ka krijuar të huajve që janë të interesuar të punojnë në Shqipëri, mësohet se nga lista janë të përjashtuar automatikisht disa kategori personash.

Zyrat e punës parashikojnë edhe një listë me numër të kufizuar të rasteve që përjashtohen nga kuotat vjetore të punësimit, ku përfshihen sportistët e huaj, artistët, të vetëpunësuarit ose kur kanë mbi 51% të aksioneve.

“Gjatë vitit 2012 janë pajisur me leje pune 2679 shtetas të huaj, nga të cilët 1830 janë pajisur me leje pune për herë të parë.

Pjesa më e madhe e të huajve punojnë në qytetet: Tiranë (1211), Durrës, Fier, Elbasan, Vlorë, Shkodër dhe Lezhë. Sipas tipit të lejeve të punës: vendin e parë e zënë lejet e punës për kategorinë e punëmarrësve, shifër kjo me një rritje të lehtë prej 2% krahasuar me një vit më parë.

Në vend të dytë kemi kategorinë e të vetëpunësuarve, duke iu referuar vitit 2011 në masën e 60%, ndërsa në vendin e tretë kategoria e investitorëve me leje pune, kategori që pothuajse nuk ka pësuar ndryshim”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Punës. Sipas të dhënave nga ky institucion, sektorët e aktivitetit me kërkesat më të shumta janë: ndërtim me 476 leje pune ose rreth 19% e totalit, tregti dhe riparim automjetesh me 360 leje pune ose 14.5% e totalit,

minierë dhe gurore me 301 leje pune ose 12% e totalit, industri përpunuese me 201 leje pune ose 8% dhe arsim me 166 leje pune ose 7%.

Duke iu referuar ecurisë vjetore të dhënies së lejeve të punës nga drejtoria e përgjithshme, drejtoritë rajonale dhe zyrat vendore, rezulton se numrin më të madh e zënë shtetasit turq me 474 leje pune ose 19% e totalit, grekë me 388 leje pune ose 16%, italianë me 372 leje pune ose 15%, kanadezë me 195 leje pune ose 8%, kinezë me 188 leje pune ose 7.5%, kosovarë me 105 leje pune ose 4%, anglezë, austriakë, brazilianë, bullgarë, libanezë dhe kroatë.

Më datë 28 mars të këtij viti, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për të huajt”, i cili garanton trajtimin e të huajve që hyjnë apo kërkojnë të hyjnë, qëndrojnë apo punojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, sipas kritereve dhe normave të legjislacionit të BE-së.

Ligji “Për të huajt” ka reflektuar sugjerimet e ekspertëve të BE-së, përvojat më pozitive të legjislacionit dhe praktikave administrative të disa shteteve anëtare të BE-së, si Slloveni, Finlandë, Norvegji, Rumani, por edhe të Kroacisë.

Në fushën e punësimit të të huajve, ligji synon: “Aksesin në tregun e punës për shtetasit e BE-së për t’u punësuar pa aplikuar për leje pune dhe trajtimin e tyre sikurse dhe shtetasit shqiptarë, për sa i përket punësimit, kushteve të punësimit, shpërblimit, studimit, formimit profesional, organizimit në organizatat e punëtorëve”.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)