Shqipëria gjithnjë e me shumë e zhytur në borxhe
Tiranë, 23 prill - Një vrojtim i fundit i Bankës së Shqipërisë, pjesë e raportit të stabilitetit financiar tregon se kriza po përkeqëson aftësinë e individëve për të paguar borxhet që kanë marrë.
Vrojtimi, i cili është kryer në një kampion me 1 mijë e 200 familje, tregoi se në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2011, mbi 26 për qind familjeve që kanë borxhe kanë raportuar përkeqësim të aftësisë paguese, krahasuar me gjashtëmujorin e parë.
Banka thotë se aktualisht, gati 26.8 për qind e totalit të familjeve kanë borxhe dhe shpenzimet që bëjnë për t\'i shlyer ato, u marrin një pjesë jo të vogël të të ardhurave.
Sipas vrojtimit 81 për qind e familjeve që kanë borxhe, paguajnë deri në 30 për qind të të ardhurave të tyre mujore për shlyerjen e tij. Një pjesë e familjeve madje kanë një barrë edhe më të rëndë.
Sipas Bankës, 9 për qind e familjeve që kanë borxhe paguajnë për interesat dhe shlyerjen e tij 31 deri 50 për qind të të ardhurave mujore dhe 6 për qind e tyre paguajnë mbi 50 për qind të të ardhurave për të shlyer kreditë.
Ndonëse Shqipëria ka një sistem financiar të përhapur në të gjithë territorin e vendit, sërish një pjesë e mirë e rasteve të huamarrjes ndodhin në tregun informal.
Sipas Bankës, 54 për qind e individëve në borxh, e kanë marrë atë nga persona fizikë, të afërm apo individë të njohur dhe jo në banka.