Shqipëria e Kosova nënshkruan marrëveshja për të drejtat në pension
Korçë, 27 nëntor - Ministri i Punës dhe Mirëqenës Sociale, Skender Reçica mori pjesë në mbledhjen e përbashkët të Qeverisë së Shqipërisë dhe Qeverisë së Kosovës, e cila u mbajt sot në qytetin e Korçës.
Ministri Reçica ka thënë se për realizimin e kësaj marrëveshjeje është negociuar nga dy Qeveritë, është finalizuar drafti përfundimtar i saj dhe ka kaluar gjithashtu edhe procedurat sipas ligjeve për marrëveshjet ndërkombëtare të të dy vendeve tona.
"Marrëveshja do të zbatohet në përputhje me legjislacionet në fuqi të palëve kontraktuese, e cila rregullon fushën e pensioneve dhe dispozitat e saj do të zbatohen vetëm për vërtetimin reciprok të periudhave të sigurimit, me qëllim të plotësimit të kushteve për arritjen e të drejtës për pensionin e pleqërisë, pensionin e invalidit dhe pensionin familjar të qytetarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës."
"Kjo marrëveshje do të zbatohet edhe për dispozitat ligjore mbi zgjerimin e skemave aktuale me kategoritë e reja përfituesish, në rast se në lidhje me këtë nuk ka kundërshtime nga pala kontraktuese e cila ka ndryshuar në ndërkohë legjislacionin e saj për të cilën pala tjetër kontraktuese do të njoftohet brenda gjashtë muajsh, nga publikimi zyrtar i akteve të cilësuara", theksoj Ministri Reçica.
Në kuadër të shumë marrëveshjeve të rëndësishme që u nënshkruan në mbledhjen e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, ishte edhe ajo për vërtetimin e periudhave të sigurimit për realizimin e të drejtës në pension, e cila u nënshkrua nga ministri i Financave dhe i Ekonomisë i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica.
Ministri Reçica, gjatë prezantimit të marrëveshjes tha se marrëveshja ka për qëllim realizimin e të drejtës për pensione për qytetarët e dy vendeve tona.