Shqipëria dhe Greqia kërkojnë të rrisin bashkëpunimin ekonomik

Tiranë, 5 nëntor - Shqipëria dhe Greqia u angazhuan të hënën të rrisin bashkëpunimin ekonomik mes tyre, ndërsa vlerësuan si mjaft të rëndësishëm bashkëpunimin për implementimin e projektit të gazsjellësit Trans Adriatik (TAP).
Presidenti i Shqipërisë, Bujan Nishani, në forumin ekonomik shqiptaro-grek të mbajtur këtë pasdite në Tiranë, tha se prania e minoritetit grek në vendin tonë dhe komunitetit shqiptar në Greqi, ka zhvilluar më tej marrëdhëniet njerëzore, ndërsa si dy popuj fqinj edhe marrëdhëniet ekonomike kanë njohur rritje.
Greqia, tha ai, mban një pozicion të rëndësishëm në investimet e huaja në Shqipëri, me një mesatare prej rreth 550 milionë eurosh. Nishani u shpreh se rreth 300 kompani greke operojnë në vendin tonë në sektorë kyç të ekonomisë si telefoni celulare, sistem bankar, ndërtim, shërbime, industri, etj.
Kreu i shtetit, Bujar Nishani, tha se Shqipëria është e gatshme të bashkëpunojë me Greqinë për implementimin e projektit të gazsjellësit TAP.
Takimi i sotëm, vijoi ai, shënon kulminacionin dhe është një shtysë e mëtejshme e marrëdhënieve tona.
Presidenti i Republikës së Greqisë, Karolos Papoulias, u shpreh se ky forum dëshmon objektivin grek për të forcuar aktivitetin dy palësh. Projekti i gazsjellësit TAP, vlerësoi ai, "përbën një zhvillim të veçantë e të rëndësishëm".
Ai theksoi gatishmërinë e shtetit grek për të intensifikuar veprimet drejt bashkëpunimit mes bizneseve në disa fusha kyçe të ekonomisë.
"Minoriteti grek dhe sipërmarrësit grekë në Shqipëri përbëjnë ura të fuqishme miqësie dhe bashkëpunimi mes popujve tanë", tha ai. Sipas Presidentit Papoulias, Greqia mbështet prej kohësh strategjinë e integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE.
"Greqia do të mbështesë perspektivën dhe itinerarin evropian të Shqipërisë nën kushtin se do të përmbushen kushtet e vendosura. Jam optimist për të ardhmen e marrëdhënieve tona. Lidhjet tona mund dhe duhet të forcohen", deklaroi Papoulias.
Në forumin shqiptaro-grek ishin të pranishëm përfaqësues të bizneseve greke e shqiptare si dhe përfaqësues të lartë të qeverisë.