03 Maj 2024

Shqipëri, ulja e borxhit mund të sjellë rritje ekonomike

Tiranë, 22 nëntor - Bankat shqiptare kanë investuar një të tretën e parave të tyre në borxhin publik të Shqipërisë dhe më pak se gjysmën për të kredituar ekonominë e gjerë dhe ekspertët sugjerojnë se ulja e borxhit publik mund të kanalizojë më shumë para në kreditimin e kompanive dhe individëve, duke sjellë edhe rritje ekonomike.

Në fund të shtatorit, bankat shqiptare patën 1.11 trilionë lekë asete, nga të cilat rreth 30 për qind ia kanë dhënë qeverisë për borxhin publik apo ua kanë dhënë kompanive shtetërore nën garancinë e qeverisë. Më pak se 31 për qind u janë dhënë kompanive private dhe rreth 13 për qind u janë kredituar familjeve.

Gjatë tre viteve të fundit, kur borxhi publik është rritur ndjeshëm, qeveria ka konkurruar me kompanitë dhe individët për të marrë kredi paranë e disponueshme në banka dhe pa surpriza ka fituar për shkak se ka ofruar interesa shumë joshëse dhe me rrezik të ulët.

Kështu, bankat kanë mundësi të zgjedhin nëse do t’i japin qeverisë borxh me interes 8 për qind, apo do të dalin të kërkojnë kredimarrës përkundrejt interesit 10 apo 12 për qind. Por borxhi i qeverisë, përveç që nuk ka rrezik, nuk ka as kosto administrative, gjë që i shtyn bankat të zgjedhin qeverinë në vend të kompanive apo individëve.

Fakti që bankat mund të dalin me fitime, pavarësisht se duhet të transferojnë një pjesë të fitimeve për të mbuluar kreditë e dyshimta, tregon se bankat vegjetojnë duke marrë depozita dhe duke i investuar në borxh publik, pa marrë mundimin të kreditojnë.

Qeveria, nga ana e saj, i merr paratë e disponueshme në treg dhe i hedh në investime masive, efikasiteti ekonomik i të cilave është shumë i diskutueshëm.

Nga ana tjetër, ekonomia mbetet pa kreditim ose me shumë pak kreditim dhe rrjedhimisht e ka më të vështirë të investojë për blerjen e teknologjisë së re apo për krijimin e sipërmarrjeve të reja.

Sipërmarrjet private kanë gjithmonë norma fitimi më të larta se sa investimet publike, gjë që garanton rritje ekonomike. Në këtë kuadër, ekonomistët thonë se qeveria e madhe dhe e mbingarkuar me borxh publik sjell rritje të paktë ekonomike dhe anasjelltas.

Gjetja e parave të nevojshme për të financuar investimet private dhe rrjedhimisht edhe rritjen ekonomike konsiderohet si problemi më madhor i ekonomisë shqiptare sot. Gjatë dekadës së fundit, rritja ekonomike është financuar nga fitimet e emigrantëve në Greqi, Itali e vende të tjera, si dhe nga investimet e huaja.

Paratë e emigrantëve janë gjithnjë e më pak, për shkak të vështirësive në Greqi, ndërsa bankat nuk po investojnë më në Shqipëri para të marra në tregun ndërkombëtar.

Rrjedhimisht, burimi i vetëm i disponueshëm për kreditim janë depozitat e vetë shqiptarëve nëpër banka, por këto depozita po përdoren nga qeveria në programe elektorale që nuk japin fitime ekonomike.

Ulja e borxhit publik mund të krijojë më shumë presion mbi bankat për të kërkuar kredimarrës, gjë që sjell edhe rritje ekonomike.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)