Shqipëri, ulet sërish norma e interesit
Tiranë, 16 dhjetor - Në Shqipëri, Banka Qendrore, vendosi sot të ulë për të dytën herë brenda tre javëve të fundit, normën bazë të interesit, me 0.25 pikë përqindje duke e zbritur atë në nivelin e 3 përqindshit.
Njoftimi u bë nga guvernatori I Bankës Ardian Fullani: Reduktimi i normës bazë të interesit i dyti në radhë pas atij të muajit të shkuar reflekton projeksionet tona për presione të dobëta inflacioniste në afat të mesëm.
Kërkesa agregate dhe rritja ekonomike parashikohet të mbeten nën potencial, duke u shoqëruar me rritje të ngadalta të kostove të prodhimit dhe të çmimeve të konsumit, deklaroi guvernatori Fullani.
Vendimi i Bankës është ndikuar edhe nga një nivel i ulët i inflacionit i cili në muajin nëntor shënoi një tjetër rënie duke zbritur në 1 përqind, ndërkohë që sipas guvernatorit Fullani edhe presionet inflacioniste nga tregjet e huaja pritet të jenë të dobëta. Përcjella e stimulit monetar në tregjet financiare dhe ekonominë reale do të ndihmojnë në kthimin e inflacionit në objektivin 3 përqind, tha zoti Fullani.
Që prej më shumë se dy vjetësh Banka qëndrore ka ndërhyrë shumë herë në uljen e normës së interesit me qëllim që të stimulojë ekonominë përmes përmirësimit të kushteve të financimit duke synuar një gjallërim të kreditimit, nxitje të konsumit dhe lehtësim të investimeve.