Shqipëri - Rritet përdorimi i kartave bankare
Tiranë, 20 korrik - Banka e Shqipërisë bën të ditur se përdorimi i kartave bankare në Shqipëri ka ardhur në rritje nga viti në vit.
Subjektet që përdorin këto shërbime në muajin mars të këtij viti arrin në rreth 860 mijë me një rritje të lehtë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar.
Sportelet ATM, apo siç njihen ndryshe bankomatet, po njohin një përdorim gjithnjë e më të gjerë në Shqipëri.
Shërbimi që ofrohet nga çdo bankë tregtare operuese në Shqipëri, apo edhe nga institucione të ndryshme financiare, u vjen në ndihmë qytetarëve duke u mundësuar atyre para cash për të mbuluar çdo nevojë në kryerjen e transaksioneve tregtare në mënyrën më të sigurtë të mundshme.
Ekspertët bankar shprehen se shërbimi me bankomatë ofrohet në çdo skaj të qyteteve kryesore por dhe më gjerë, duke i lehtësuar ata në veprime të shumta financiare, por edhe duke shmangur rrezikun e mbartjes personalisht të vlerave të larta në kartëmonedha.
Gama e produkteve që mund të realizohen me anë të një karte kredie apo debie është shumë e gjerë, ndaj edhe është zgjedhur si forma kryesore e kryerjes së operacioneve financiare nga ana e bankave tregtare.
Qytetarët mund të kryejnë çdo pagesë me anë të kartës, të tërheqin pagesat mujore duke shmangur radhë të panevojshme në sportelet e kompanive ku ata paguhen.