Shqipëri, kreditë e këqija prej 300 milionë euro drejt faljes

Tiranë, 15 prill - Banka e Shqipërisë ka propozuar ristrukturimin e portofolit të kredive. Në kohën që kreditë e këqija kanë prekur rekordin 24 % të totalit të portofolit të kredisë, Banka propozon fshirjen e një pjese të konsiderueshme të tyre.
Bëhet fjalë për rreth 300 milionë euro të klasifikuara nga bankat e nivelit të dytë si kredi të këqija të cilat pritet të falen dhe të fshihen nga regjistri i kredive të pakthyera.
Kushti i vetëm që kanë vendo-sur bankat e nivelit të dytë është çlirimi i këtyre fondeve nga tatimi, por organet tatimore duhet se nuk e pranojnë këtë fakt.
Në paketën propozuar nga Banka e Shqipërisë për ristrukturimin e kredive janë parashikuar disa masa për të shpërblyer bankat treg-tare në rast se arrihet marrëveshja.
Për të ristrukturuar portofolin e kredisë Banka qendore ka propozuar ndryshimin e Kodit Civil që nis me përmirësimet ligjore, sipas të cilave bankat e nivelit të dytë do të mund të administrojnë kolateralin.
Banka e Shqipërisë vlerëson se miratimi i këtyre ndryshimeve në një kohë të shkurtër në Kuvendin e Shqipërisë, do të përfaqësonte një kontribut të rëndësishëm për trajtimin dhe lehtësimin e gjendjes së kredive me probleme të sektorit bankar duke mbështetur rimëkëmbjen e kreditimit.
Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë raporti i kredive me probleme ndaj totalit të kredisë rezultoi 22.5 për qind në fund të vitit 2012, nga 18.8 për qind që qëndronte në fund të një viti më parë. Në muajt e parë të 2013-s, kredia me probleme është rreth 24 për qind, me tendencë drejt përkeqësimit.
Në vlerë, ja-në rreth 1 miliard euro kredi të standardizuara me probleme, ku nga këto, afro 300 milionë konsiderohen të humbura, pa shpresë që bankat ti vjelin.
Ndërkohë Banka e Shqipërisë miratoi në muajin mars të këtij viti një paketë masash makroprudenciale të orientuara drejt nxitjes së kredisë dhe uljes së rrezikut në sistemin bankar.
Masat konsistojnë në lehtësimin e kërkesave për kapital për rritjen e kredisë, në lehtësimin e kërkesave për likuiditet, në uljen e provigjionimit për kredinë e ristrukturuar, si dhe në rritjen e kërkesave për kapital për aktivet jashtë vendit mbi normat e kërkuara nga Banka e Shqipërisë.
Një ndër masat është edhe ekzekutimi i kolateraleve nga përmbaruesit privatë, duke ulur vlerën e shitjes së tyre në ankand, deri në 50 për qind.
Banka e Shqipërisë ka propozuar disa ndryshime rregullative të cilat parashikojnë se bankat, sipas profilit të rrezikut të përfitojnë edhe një ulje të përgjithshme me 5 pikë përqindje të kërkesës rregullative për nivelin e raportit minimal të likuiditetit në total, për lekun dhe për valutën, në krahasim me nivelin ekzistues.
Për bankat që kanë një nivel relativisht më të ulët të normës së mjaftueshmërisë së kapitalit, këto ndryshime pritet ti nxisin ato të zhvendosin mjetet e tyre financiare drejt kredidhënies për ekonominë, duke qenë se kjo mund të shoqërohet edhe me një ulje të kostos së veprimtarisë banka-re dhe përmirësim të rezultatit financiar.
Për të adresuar dukurinë e rritjes së kredive me probleme, ndryshimet rregullative mundësojnë ristrukturimin e kredisë që në fazën kur ajo kategorizohet si kredi e rregullt, por kredimarrësi ka nisur të shfaq problemet e para në pagesën e kredisë.
Qëllimi është që, me kushtet e reja të kredisë pas ristrukturimit, të ruhet aftësia paguese e kredimarrësit dhe cilësia e kredisë. Kjo kredi do të vijojë të klasifikohet si kredi e rregullt (në dy klasat e para të kategorizimit), por do të kërkojë një normë provigjionimi më të lartë, prej 10 për qind.
Për të verifikuar vlefshmërinë e ristrukturim-it, kuadri rregullativ parashikonte qëndrimin e kredisë së ristrukturuar në të njëjtën kategori për të paktën 9 muaj ose derisa kredi-marrësi të ketë paguar tre këste të kredisë. Për ti bërë bankat më të interesuara drejt procesit të ristrukturimit, ndryshimet rregullative parashikojnë uljen e këtij afati në nivelin 6 muaj.