Shqipëri, Kreditë e këqija arritën në 23 për qind
Tiranë, 14 janar - Kreditë e këqija në Shqipëri kanë vijuar rritjen edhe në muajin nëntor të vitit 2012, duke prekur në fund nivelin 23 për qind.
Një muaj më parë, niveli i kredive me probleme, sikurse raportohet, ishte 22.7 për qind.
Të dhënat e Shoqatës së Bankës së Shqipërisë tregojnë një situatë që ka vijuar të përkeqësohet dhe një tregues që sa vjen dhe bëhet më shqetësues për ekonominë.
Prej kohësh, rritja e vazhdueshme e kredive me probleme është kthyer në shqetësim dhe institucionet ndërkombëtare kanë kërkuar ndërhyrje nga ana e autoriteteve për ta ndalur këtë rritje.
Në total, deri në nëntor kredia e dhënë nga ana e bankave ndaj individëve dhe bizneseve është në vlerën 578 miliardë lekë dhe vlera 23 për qind e këtij totali është relativisht e lartë dhe alarmante.
Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rekomanduar që të merren masa konkrete nga qeveria, që lidhen me shlyerjen e faturave që kjo e fundit u ka bizneseve, në mënyrë që ky i fundit të shlyejë borxhet në banka.
Po kështu, një sugjerim i fundit ishte ai i ekzekutimit të kolateralit, një thirrje që më parë është bërë edhe nga guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani.
Ky i fundit ka kërkuar nga të gjitha hallkat e përfshira në proces që të lehtësohet ekzekutimi i kolateralit dhe të pastrohen regjistrat e kredisë, për ta mbajtur sektorin bankar të sigurt dhe likuid.