Shqipëri, kreditë e këqija arrijnë në 24. 4 për qind
Tiranë, 2 dhjetor - Rritja e shpejtë e numrit të kredive të këqija në raport me totalin e portofolit të kredive në Shqipëri është parë si shqetësim nga Banka Botërore.
Sektori financiar është cilësuar si i ekspozuar ndaj rreziqeve të larta të cilat vijnë si rezultat i ngadalësimit të rritjes ekonomike.
Për ketë shkak ekspertët e Bankës Botërore i sugjerojnë qeverisë shqiptare krijimin e fondi të veçantë në buxhetin e shtetit, i cili do të mbulojë një rrezik të mundshëm të mungesës së aftësive paguese të bankave që operojnë në Shqipëri.
Një studim i publikuar dje nga Open Data vëren se rritje të ndjeshme kanë pësuar kreditë e humbura, që krahasuar me vitin 2007 (0.81%), janë rritur mbi dhjetë herë, në 9.23%. Kjo tregon që cilësia e kredive ka ardhur në ulje dhe 9.23% e tyre nuk mund të rimerren më nga bankat, por ka qenë i nevojshëm zbatimi i kolateralit.
Në fund të 6-mujorit të parë të vitit 2013, totali i kredive problematike të sistemit bankar ishte 24.4%, të ndara në: kredi nënstandarde (9.78%), kredi të dyshimta (5.38%) dhe kredi të humbura (9.23%).
Krahasuar me vitin 2007, këto shifra ishin: Totali i kredive problematike të sistemit bankar ishte 3.31%, të ndara në: kredi nënstandade (1.71%), kredi të dyshimta (0.79%) dhe kredi të humbura (0.81%).
Pra, të gjitha kategoritë e kredive të këqija janë rritur në mënyrë të ndjeshme. Nëse në vitin 2007 rreth 92% e kredive të dhëna nga bankat klasifikoheshin si kredi standarde, tashmë vetëm 66% e kredive janë standarde.