21 Dhjetor 2024

Shqetësime për sistemet bankare në mbarë globin

New York, 23 mars - Shqetësimet rreth falimentimeve të fundit të bankave dhe paketat e ndihmave, po përhapen në ekonomitë botërore, nga New Yorku në Pekin, ndërsa bankierët qendrorë po punojnë për të qetësuar depozituesit dhe tregjet financiare.

Sekretarja amerikane e Thesarit, Janet Yellen tha këtë javë se sistemi bankar është në gjendje të mirë.

Garancitë e zonjës Yellen dhe zyrtarëve të tjerë, vijnë mes rënies së çmimit të aksioneve të bankës F irst Republic me seli në San Francisco dhe falimentimit të bankës Signature, një kompani e rëndësishme në tregun e kriptomonedhave.

Administrata e Presidentit Biden u doli në mbrojtje depozituesve në bankat Signature dhe Silicon Valley, një financuese e madhe e bizneseve të reja teknologjike që gjithashtu falimentoi këtë muaj.

Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, u përpoq të zbusë tensionet në Bruksel, pas njoftimeve të zyrtarëve zvicerianë për marrëveshjen e bankës UBS për të blerë bankën globale të investimeve dhe kompaninë e shërbimeve financiare, e cila ndodhet në vështirësi, Credit Suisse.

“Kemi shumë besim se kapitali dhe likuiditeti i bankave të eurozonës janë në pozitë të kënaqshme”, tha zonja Lagarde.

Investitorët aziatikë ishin të shqetësuar, përfshirë ata në Shangai, ndërsa zyrtarët kinezë këmbëngulën se sipërmarrja e përbashkët me bankën Silicon Vlley është e qëndrueshme.

Senatori amerikan Marco Rubio kërkoi rishikimin e zotërimeve kineze të bankës, për t’u siguruar se firmat amerikane që punojnë me teknologji të ndjeshme, nuk janë blerë nga interesat kineze.

Qeveria amerikane veproi për ta penguar përhapjen e asaj që ekonomistët e shohin si një sëmundje ngjitëse, thotë ekspertja financiare Diane Ellis.

“Kjo mund të ndodhë kur një bankë falimenton dhe dështimi i saj shkakton dështimin e një banke, institucioni tjetër financiar ose bizneseve të tjera, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në ekonominë reale”, thotë zonja Ellis.

Të gjitha këto përpjekje kanë për qëllim shmangjen e përsëritjes së goditjes që tregu i pasurive të patundshme pësoi në vitin 2008, duke shkaktuar dështimin e qindra bankave dhe duke zhytur botën në recesion.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)