Shpërndahen grante për 10 komuna të Kosovës
Prishtinë, 3 nëntor - Nëntë komuna të Republikës së Kosovës dhe një organizatë jo-qeveritare rajonale, që kanë fituar grante për implementimin e projekteve të vogla me ndikim të shpejtë janë nderuar në një ceremoni solemne të zhvilluar të hënën në Prishtinë.
Projektet zhvillimore të zbatuara, përfshijnë furnizimin me serra për gratë fermere, shpërndarjen me maqina qepëse për personat me aftësi të kufizuara dhe shpërndarjen me koshere bletësh për fermerët. Komunat përfituese janë komuna e Prishtinës, Gjilanit, Mitrovicës, Suharekës, Rahovecit, Drenasit, Skenderajt, Istogut dhe Mamushës si dhe OJQ-ja rajonale Handikos Pejë.
Komponentja më e rëndësishme e gjithë projektit ka qenë mundësia që u është dhënë komunave dhe organizatave rajonale për të aplikuar dhe fituar grante, të cilat përqëndrohen në përmirësimin e kushteve ekonomike të akterëve rajonal- citat nga Lumir Abdixhiku.
Projekti Fuqizimi i kapaciteteve të zhvillimit ekonomik rajonal udhëheqët nga Instituti Riinvest në bashkëpunim me partnerët: organizata gjermane Friedrich Ebert Stiftung dhe me përkrahje të Bashkimit Evropian dhe Komunave të Kosovës.
Në të njëjtën ngjarje 40 ekspertët zhvillimorë të Kosovës nga të gjitha komunat e vendit, që kanë ndjekur dhe përfunduar ciklin e dytë të Akademisë Zhvillimore të Kosovës morën diplomat e tyre.
Akademia Zhvillimore, është një ndër iniciativat e para në Kosovë që aftëson zyrtarët e vendit për të menaxhuar, aplikuar dhe për të implementuar metodat e zhvillimit strategjik të BE-së dhe instrumentet tjera relevante të zhvillimit. Kjo Akademi Zhvillimore, si e tillë është një mjet shumë i rëndësishëm në proceset e integrimit evropian të Kosovës- citat nga Lumir Abdixhiku.
Klasa e ciklit të dytë është ndjekur nga zyrtarë prej të gjitha komunave të Republikës së Kosovës. Pas 24 sesioneve të ligjëratave dhe pas përmbushjes së aktiviteteve kushtëzuese për përfundim të suksesshëm të Akademisë, kanë diplomuar 40 pjesëmarrës, të cilët u nderuan me diploma të hënën. Pjesëmarrësit janë propozuar nga vet organizmat udhëheqës të tyre.
Akademia Zhvillimore është njëra ndër gjashtë aktivitetet e projektit të përkrahur nga BE-ja, të titulluar: Fuqizimi i kapaciteteve të zhvillimit ekonomik rajonal të Kosovës, përmes Akademisë Zhvillimore, njësive komunale për zhvillim dhe menaxhim të projekteve si dhe implementimit të projekteve me ndikim të shpejtë.
Përfitues të projektit janë: zyrtarë komunal; OJQ rajonale; përfaqësues të shoqatave të fermerëve dhe bizneseve; akterë relevant vendor; përfitues rural të EURED dhe BE-së.