16 Nëntor 2024

Shpërblehen tatimpaguesit me të mirë të vitit

Prishtinë, 12 Shtator - Me qëllim të njohjes publike të kompanive që konsiderohen të jenë kontribuesit më të mëdhenj të buxhetit të vendit, njëkohësisht ngritjen e vazhdueshme të vetëdijes së komunitetit të biznesit për detyrimet ndaj shtetit, Oda Ekonomike Amerikane në bashkëpunim me Odën Ekonomike të Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës dhe Doganën e Kosovës organizuan ceremoninë tradicionale të shpërblimit të tatimpaguesve të vitit.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, vlerësoi se ceremonia e shpërblimit të tatimpaguesve të vitit ndihmon në ngritjen e kulturës për pagimin e tatimeve dhe kontributeve të tjera ndaj shtetit, duke theksuar se disiplina rigoroze tatimore është formulë e suksesit të ekonomive perëndimore.

Sipas tij, kjo përveq se dëshmon përgjegjësinë e bizneseve, njëkohësisht kontribuon edhe në fuqizimin e shtetit të Kosovës.

Ai tha se fuqia e shtetit nuk matet vetëm me shprehje verbale të patriotizmit, por edhe përmes pagesës së rregullt të tatimeve.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane, Arian Zeka theksoi rëndësinë e këtij organizimi, i cili synon njohjen e kontribuesëve më të mëdhenj të buxhetit të vendit, por edhe në promovimin e ngritjes së vetëdijes dhe disiplinës së raportimit financiar.

Më tej, Zeka tha se kjo ceremoni synon shpërblimin edhe të bizneseve më të rregullta dhe kjo dëshmohet me kriteret e përcaktuara ku mes tjerash bizneset nuk duhet të kenë asnjë kundërvajtje tatimore, duke shtuar që shpreson që ky shembull do të ndiqet edhe nga kompanitë e tjera.

Në anën tjetër, Ministri i Financave, Avdullah Hoti, tha se ndjehet i nderuar të jetë prezent në një organizim të tillë, ku pjesëmarrës janë tatimpaguesit më të rregullt në vendin tonë. Ai më tej vlerësoi se suksesi dhe performanca e këtyre bizneseve, konsiderohet si sukses edhe i shtetit të Kosovës.

Ministri Hoti vlerësoi procesin e përzgjedhjes së tatimpaguesve si shumë objektiv, duke falënderuar odat ekonomike për kontributin e tyre gjatë procesit të ndryshimit të legjislacionit tatimor, përfshirë edhe ndihmën në implementimin e dispozitave të reja përmes ofrimit të qartësimeve për komunitetin e biznesit.

Nahit Sharku, U.D. i Drejtorit të Përgjithshëm të Administratës Tatimore, e konsideroi si shumë të nevojshëm dhe pozitiv partneritetin në mës të institucioneve të vendit, në këtë rast ATK-së, me organizatat e bizneseve, por edhe drejtpërdrejtë me sektorin privat. Sipas tij, një bashkëpunim i këtille, padyshim që do të rezultojë me qëndrueshmëri fiskale dhe klimë më të mirë e të barabartë të biznesit në Kosovë.

Ndërsa, Drejtori i Doganave të Kosovës, Lulzim Rafuna u shpreh se Dogana e Kosovës do të vazhdojë të jetë në shërbim të bizneseve dhe përmes komunikimit të mirëfilltë me to, do të arrijë luftimin efikas të evazionit fiskal, si dhe krijimin dhe implementimin e reformave në institucionin që ai drejton.

Kompanitë e mëdha që u klasifikuan në kategorinë e parë me qarkullim vjetor mbi 5 milion Euro janë: “Prima Tobacco LLC”, “Kosmonte Foods SHPK”, “Coca Cola Hellenic Bottling Company- Kosovo LLC”, “Scan Color- JYSK SHPK” dhe “Marketing and Distribution SHPK".

Kompanitë që morën mirënjohje në kategorinë e kompanive me qarkullim vjetor prej 1 – 5 milion Euro ishin "Apollonia SHPK”, “Alma SHPK”, “Studio Moderna SHPK”, “Sportina & Albi LLC” dhe “NTP Arena Engineering".

Ndërsa, në kategorinë e kompanive me qarkullim prej 100.000-1 milion Euro mirënjohjet u ndanë për "Fox Marble Kosova”, “Kid Zone Kosova SHPK”, “Tashko Pustina SHPK-Dega në Kosovë”, “NPSH Arianiti-A” dhe “Ontexi-Mont SHPK”.

Pas shpërndarjes së mirënjohjeve, bizneset e pranishme patën mundësinë të diskutojnë me përfaqësuesit e institucioneve tatimmbledhëse shqetësimet dhe rekomandimet e tyre, përfshirë edhe kërkesën për luftimin e informalitetit dhe aspekte të tjera më teknike, përfshirë edhe nevojën për një proces më të parashikueshëm të përcaktimit të akcizave.

Ato poashtu mirëpritën edhe lehtësirat e reja tatimore të cilat do të mundësohen me ligjet e reja tatimore.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)