Shpërblehen 8 biznese të themeluara nga remitencat
Gjilan, 26 dhjetor - Në kuadër të projektit Përfshija e Diasporës në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës, sot në Gjilan është mbajtur ceremonia e ndarjes së çmimeve për fituesit e granteve nga ky projekt.
Tetë biznese të reja të themeluara nga familjet që pranojnë remitenca nga diaspora nga janë shpërblyer për biznes planet e tyre me nga 3,000.00 EURO vlerë maksimale nga projekti i cili është financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Finlandës e përkrahur nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe implementuar nga Agjencia për Zhvillim Rajonal Lindje.
Sipas Drejtorit Ekzekutiv të AZHR Lindje, Almir Hyseni, ky projekt ka për qëllim që të inkurajojë dhe të ndihmojë familjet që pranojnë remitenca me qëllim të themelimit të bizneseve apo zgjerimit të bizneseve të tyre ekzistuese.
Vlera totale e granteve të dhëna nga projekti Përfshija e Diasporës në Zhvillimin Ekonomik të Kosovës është 16,000.00 EURO ndërkohë që edhe 16,000.00 EURO të tjera janë siguruar nga kontributet e familjarëve që jetojnë në diasporë.
Kryetari i Komunës së Gjilanit, njëherësh edhe anëtar bordi i AZHR Lindje, Lutfi Haziri, tha se komuna që ai tani drejton do të vazhdojë të ndërtojë ambient të qëndrueshëm për zhvillim ekonomik lokal dhe të krijojë lehtësi edhe më të mëdha në mënyrë që ky ambient të shfrytëzohet nga të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë apo bashkë-investojnë në komunën e Gjilanit.
Ndërkohë, Përfaqësuesja e Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Valbona Bogujevci, tha se UNDP ka një traditë 15 vjeçare në mbështetje të institucioneve të Kosovës në shumë fusha përfshirë këtu edhe përmirësimin e mirëqenies socio-ekonomike dhe kjo sipas saj, ka qenë shtytja kryesore pse UNDP ka përkrahur projektin në mënyrë që edhe diaspora dhe mërgata kosovare të përfshihet drejtpërdrejtë në zhvillimit ekonomik dhe në zbutjen e varfërisë në Kosovë.
Tetë përfituesit e granteve ndërkohë janë ndarë mjaftë të kënaqur me përzgjedhjen e tyre.
Lista e përfituesve për biznes planet më të mira:
Albina Arifi Rexhepi Gjilan
Feime Rexhepaj Kamenicë
Ismete Zymberi Gjilan
Nagovan Jovanovic Partesh
Qëndrim Lubishtani Viti
Radomir dhe Jasmina Zhivkovic Partesh
Sami Syla Gjilan
Zvonimir Vasic Partesh