Shpejt shpallet fituesi për Transadriatikun
Azerbajxhan, 26 maj - Konsorciumi i Shah Denizit, fushës-naftëmbajtëse në Azerbajxhan do të vendosë muajin e ardhshëm për projektin fitues që do të transportojë gazin e Kaspikut në Evropë.
Lajmin e ka bërë të ditur, drejtori i gazsjellësit Transdadriatik, Kjetil Tungland, gjatë një interviste për revistën ndërkombëtare, Pipeline International.
Projekti Transadriatik është i vetmi që përfshin Shqipërinë në rrjetin ndërkombëtar të gazit. Pak ditë më parë projekti ka arritur të marrë edhe miratimin formal nga Komisioni Europian, e cila është dhe leja e fundit që i hap rrugë ndërtimit të tij.
\"Ne jemi shumë mirënjohës ndaj Komisionit Evropian. Firma e tij nënkupton që tashme ne kemi të gjithë dokumentat dhe lejet e kërkuara përpara vendimit të konsorciumit të Shah Deniz muajin e ardhshëm\", është shprehur Tugland.
Drejtori komercial i projekti, Lutc Landuer ka shtuar se kjo e bën gazsjellësin Transadriatik si favoritin kryesor për të fituar të drejtën e transportit të gazit nga Kaspiku në Evropë.
Projekti Transadriatik lidhet me gazsjellësin Transanatolian në afërsi të kufirit greko-turk. Ai futet në territorin grek në pikën e Komotinit dhe përmes Shqipërisë përfundon në Italinë jugore.
Gazsjellësi ka tre aksionarë, zviceranin Akspo me 42.5 për qind, norvegjezen Statoil me po kaq dhe kompaninë gjermane EON Rurgas me 15 për qind.
Ndërtimi i tij rrit fort pozitat gjeopolitike të Shqipërisë dhe përveç investimit të madh dhe krijimit të vendeve të punës do mundësojë furnizimin e konsumatorëve me gaz.(tch)