Shoqëria civile kërkon tërheqjen e Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike
Prishtinë, 17 maj - Shoqëria civile, ka nisur fushatën për kundërshtimin e miratimit të Projektligjit për Financimin e Subjekteve Politike, nën moton “Paratë tona, standardet tona”.
Kjo fushatë po mbështetet nga 100 organizata të shoqërisë civile, përfaqësues të të cilave sot, përmes një konference për media, kanë bërë të ditur se do të nisin takime me përfaqësues institucional si dhe aktivitete tjera për të kundërshtuar këtë projektligj.
Në konferencë u bë e ditur se ditur se shumica e amendamenteve të propozuara nga grupi punues në kuadër të Komisionit për Buxhet dhe Financa, për Projektligjin 06L-137 për Financimin e Subjekteve Politike cenojnë standardet ndërkombëtare për financimin e partive politike, e në veçanti rekomandimet e Komisionit të Venedikut që i janë dhënë Qeverisë së Kosovës përkitazi me këtë projektligj më 3 maj 2018.
Amendamentet e miratuara në lexim të dytë nga Komisioni për buxhet e financa e dëmtojnë projektligjin sepse:
Cenojnë pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Subjekteve Politike duke ia hequr kësaj zyre mandatin për mbikëqyrjen e financave të partive politike, përfshirë shqiptimin e gjobave. Bartja e këtyre funksioneve në një trup politik si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) bie ndesh edhe me rekomandimet e Komisionit të Venedikut për forcimin e rolit të Zyrës.
Nuk adresojnë prioritetet e Agjendës për Reforma Evropiane (ERA) për të siguruar transparencë, llogaridhënie, zbatim dhe sanksione efikase në financimin e partive politike. Programi Kombëtar për zbatimin e MSA-së 2019 – 2023 e thotë qartë se KQZ nuk duhet të jetë autoritet i kontrollit të financave të partive politike.
Dëmtojnë frymën kushtetuese të ligjit, për shkak të dispozitave kontradiktore që rregullojnë marrëdhënien midis subjektit politik dhe deputetit për çështjen e Fondit.
Cenojnë transparencën e subjekteve politike ndaj publikut pasi që mundësojnë mospublikimin e emrave të pronarëve të personave juridik (kompanive) që japin kontribut për subjektet politike. Për më tepër, tavanet e kontributeve “në para të gatshme” për subjektet politike janë dhjetëfishuar (nga 50 në 500 euro), ndërsa kontributet e personave fizikë dhe juridikë në kohë fushate janë dyfishuar.
Zvogëlojnë llogaridhënien e subjekteve politike ndaj publikut pasi që lejonë zgjatje të afateve për publikim të raporteve financiare të fushatës. Po ashtu gjobat për shkejet e dispozitave ligjore nga subjektet politike janë zvogëluar deri në 75%.