Shoqata Nëna Terezë inauguron 4 shtëpi për familje të pa streha
Prishtinë, 28 gusht - Shoqata Humanitare Bëmirëse e Kosovës “ Nëna Tereze” Prishtinë ne partneritet me Shoqatën Humanitare Bëmirëse “ Nëna Tereze” Zvicërr e cila është edhe Donator i projektit do të bëjnë inaugurimin e 4 shtëpive të ndërtuara për vitin 2017.
Me vite të tëra këto familje nga komuna e Gjakovës, Klinës, Hani Elezit dhe Vushtrrisë, kanë jetuar në kushte të mjerueshme dhe të papërballueshme për jetesë.
Pas identifikimit në terren nga koordinatorët e Shoqatës Nëna Terezë, këtë verë këto familje u bënë pjesë e Programit të Ndërtimit 2017, donator i të cilit është Shoqata Nëna Terezë në Zvicër, e që ka për qëllim sigurimin e kushteve minimale për jetë për familjet e pastrehë të Kosovës.
Qëllimi i këtij projekti është të ndihmohen familjet e pa streha të Kosovës - ata që janë në nevojë për ne.Përvec projekteve sociale në ndihmë të familjeve nevojtare - në gjëra ushqimore, jo ushqimore dhe veshmbathje - që nga viti 2003, Shoqata Nëna Terezë zhvillon edhe projekte ndërtimi për familjet që kanë mbetur pa shtëpi e që jetojnë në kushte të rënda. Edhe këtë vit, duke iu falenderuar donacionit nga Shoqata Nëna Terezë Zvicër, janë ndërtuar katër (4) shtëpi të reja për familjet nevojtare kosovare.
Një nga shtyllat e misionit të Shoqatës Nëna Terezë është sigurimi i strehimit themelor për familjet që jetojnë në varfëri të skajshme, veçanërisht në kushte të rënda të banimit, andaj ky projekt, me shpresë në rritjen e më shumë fondeve, do të vazhdoj të zhvillohet edhe në të ardhmen.
Deri më tani, përmes 5 qendrave regjionale dhe donatorëve zemërgjerë, Shoqata Nëna Terezë përkrahë mbi 6000 familje në nevojë, pa marrë parasyshë përkatësinë e tyre etnike apo fetare.
Si gjithmonë, inkurajohen donatorë të ndryshem, si dhe vetë qytetarët të jenë pjesë e këtyre iniciativave, dhe të kontribuojnë në të mirë të familjeve nevojtare anembanë Kosovës të cilët kanë nevojë për ndihmë të vazhdueshme.