Shoqata e Bankave të Kosovës vizituan Shoqatën Shqiptare të Bankave
Prishtinë, 19 gusht - Me datë 16 gusht, përfaqësues të Shoqatës së Bankave të Kosovës, vizituan Shoqatën Shqiptare të Bankave ku u mirëpriten nga Sekretarja e Përgjithshme e Shoqatës së Bankave Shqiptare, Znj. Endrita Xhaferaj.
Petrit Balija, Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës së Bankave të Kosovës, falenderoi Znj. Xhaferaj për mikëpritjen e delegacionit të SHBK-së dhe shtoi se kjo është një datë e rëndësishme për të dy institucionet pasi që është takimi i parë zyrtarë në mesë të Shoqatës së Bankave të Kosovës dhe Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe është një nismë e mirë për një bashkëpunim më të ngushtë në mes të dy institucioneve.
Ndërkaq, Znj. Xhaferaj falenderoi përfaqësuesit e SHBK-së për vizitën e bërë dhe për shprehjen e interesit për tu njoftuar më afër mbi aktivitetet e Shoqatës Shqiptare të Bankave dhe sektorin bankar në Shqipëri si dhe për mundësinë potenciale të bashkëpunimit midis dy institucioneve.
Për më tepër, Znj. Xhaferaj njoftoi përfaqësuesit e SHBK-së për zhvillimet e fundit në sektorin bankar të Shqipërisë përderisa u njoftua me çështjet më kruciale të sektorit bankar në Kosovë. Përfaqësuesit e dy Shoqatave u pajtuan që të bashkëpunojnë dhe shkëmbejnë përvojat e tyre në shërbim të një zhvillimi të qëndrueshëm ekonomik si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri.
Në mbyllje të kësaj vizite, Zt. Balija, ftoi stafin e Shoqatës Shqiptare të Bankave për pjesmarrje në Panairin Financiar 2013 i cili do të organizohet nga Shoqata e Bankave të Kosovës më datën 25 dhe 26 Shtator, 2013.