Shoqata e Bankave dënon grabitjen me armë zjarri në një bankë në Shtime
Prishtinë, 2 shtator - Shoqata e Bankave të Kosovës (SHBK) dënon fuqishëm aktin e sotëm të grabitjes me armë zjarri në një bankë në Shtime, me ç’rast kërkon nga organet e rendit që sa më parë t’i sjellin para drejtësisë kryersit e këtij akti të shëmtuar kriminal, të cilët nën kërcënimin e armës, rrezikuan sigurinë e punëtorëve, qytetarëve dhe pjestarëve të policisë.
Grupet e tilla kriminale, të cilat synojnë të dëmtojnë bizneset e Kosovës, e në veçanti bankat e që rrezikojnë mirëqenien e qytetarëve dhe dëmtojnë rëndë imazhin e Kosovës, duhet të identifikohen sa më parë dhe të njëjtit të marrin dënimin e merituar.
Shoqata e Bankave të Kosovës, me qëllim të ngritjes së sigurisë në sektorin bankar, në muajin Shkurt të këtij viti, ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Ministrin e Punëve të Brendshme, Policinë e Kosovës dhe Bankën Qendrore të Kosovës, me qëllim avancimin e bashkëpunimit për ngritjen e nivelit të sigurisë në sektorin bankar në mënyrë që bankat, personeli i tyre dhe qytetarët të kenë një ambient sa më të sigurt për zhvillimin e aktivitetit të tyre.