18 Nëntor 2024

Shkencëtarët e rinj prezentojnë hulumtimet e tyre inovative në EUICC

Prishtinë, 20 mars  - Me qëllim të inkurajimit të të menduarit shkencor tek nxënësit, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së (EUICC) dhe shkolla Atomi, kanë prezentuar sot hulumtimet inovative shkencore të fëmijëve me intelegjencë të jashtëzakonshme.

Pesë grupe të atomistëve të rinj, kanë prezentuar të gjeturat dhe zbulimet e tyre nga fusha e kibernetikës, biologjisë, kimisë, fizikës dhe matematikës në praninë e dhjetëra nxënësve dhe mësimdhënësve të shkollave të mesme të larta.

Fëmijët shtjelluan tema komplekse shkencore si: vërtetimet matematikore atëherë kur dështon kompjuteri, privatësia e komunikimeve në internet, klonimi, energjia bërthamore, si dhe prej atomit deri të nano-automobili.
Organizatorët e kësaj ngjarje thanë se në këtë mënyrë po synojnë që t’i nxisin talentët e rinj që të shkojnë përtej kurrikulës arsimore dhe të orientohen më shumë drejt hulumtimeve shkencore.

Njëra nga nxënëset me intelegjencë të lartë, Monika Bunjaku nga gjimnazi i Gjilanit, thotë se me angazhimin e saj në fushën e matematikës po ndihmon jo vetëm të ardhmën e saj, por edhe të shoqërisë.

“Ka detyra të cilat nuk mund t’i zgjidhë kompjuteri. Kompjuteri është krijuar nga njeriu, prandaj nuk mund të dijë më shumë se njeriu. Ndoshta kompjuterit do t’i duheshin mijëra vite për të zgjidhur një detyrë, të cilën ne me logjikë e zgjidhim brenda pak minutash”, shprehet Monika.
Atomisti Albion Bajraktari nga shkolla e mesme teknike në Deçan, që po ndjek kurse shtesë të matematikës nga profesorë universitarë, thekson rëndësinë e zgjerimit të njohurive shkencore te gjeneratat e reja.

“Mendoj që ajo që e zhvillon më së shumti shtetin janë kuadrot shkencore. Mendoj që kjo është shumë e nevojshme për të rinjtë tanë, pasi ne kemi potencial sa i përket intelegjencës, por edhe shumicën e popullsisë e kemi të re”, thotë Albioni.

Në prezentimin e hulumtimeve inovative të fëmijëve me intelegjencë të lartë mori pjesë edhe drejtori i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Prishtinës dhe njëri prej themeluesve të shkollës Atomi, Jusuf Thaçi.

“Kjo është një nismë shumë e mirë që të fillohet të punohet në drejtim të mendimit shkencor nga ana e nxënësve sepse për fat të keq në kuadër të sistemit të rregullt edukativo-arsimor kjo komponentë nuk është shumë e theksuar, kështu që çdo aktivitet nga jashtë që stimulon  zhvillimin e fushave të ndryshme shkencore është më se i mirëseardhur”, tha z.Thaçi.

Në fund të këtij aktiviteti, Qendra Informative dhe Kulturore e BE-së  ndau nga një hard disk për pesë grupet e nxënësve që prezentuan punimet e tyre. Ky aktivitet u mbajt në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Menduarit Shkencor, që festohet me aktivitete të ndryshme shkencore në shumë vende të botës.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)