09 Nëntor 2024

Shkelen të drejtat e punëtorëve në sektorin privat në Kosovë

Prishtinë, 11 gusht - Sindikata e Pavarur e Sektorit Privat të Kosovës shprehu edhe njëherë shqetësimin e saj për kushtet e punëtorëve në sektorin privat. Kryetari i saj Jusuf Azemi duke përmendur me emra disa kompani të cilat bëjnë shkelje drastike të të drejtave të punëtorëve, tha se pjesa më e madhe e punëtorëve në sektorin privat janë pa kontrata pune.

Gjendja e punëtorëve në sektorin privat edhe më tej është alarmante, posaçërisht në disa kompani. Kryetari Azemi nga kompanitë që kanë bërë shkelje të të drejtave të punëtorëve, së pari e përmendi kompaninë Abi nga Prizreni.

“Kemi vërejt shumë padrejtësi të cilat po u bëhen punëtorëve. Në kompaninë Abi në Prizren, në një sektor është dashur të largohen 10 punëtorë, dhe në atë sektor kanë punuar 30 punëtorë. E që me anë të testimit kanë dashur që punëtorët vetvetiu ti largojnë kolegët e tyre nga puna, me qëllim që të sigurohet vendi i punës atyre që janë prezent. D.m.th. testim i punëtorëve për punëtorin që është një shkelje jashtëzakonisht, tepër drastike ligjore.”

Azemi ka përmendur edhe Marketin “Emona City” po ashtu në Prizren, ku në bazë të deklaratës së vet menaxherit, nga 84 punëtorë prezentë, 40 ishin pa kontrata pune.

“Gjendja ishte tejet alarmante sepse ishte një temperaturë minus 15 gradë dhe ata nuk kishin nxehje fare. Dhe punëtorët ishin të detyruar të bënin lëvizje, në mënyrë që të mos ngrihej trupi i tyre. Dhe e pabesueshme është se si ka guxuar inspektorati sanitar ti jep leje asaj kompanie ta zhvillojë veprimtarinë e vet.”

Azemi përmendi edhe kompaninë Al–Petrol që ka shkelur në mënyrë flagrante të drejtat e punëtorëve. Ai po ashtu potencoi një rast tjetër, ku një punëtor i kishte thënë se qe 10 vite, është duke punuar pas asnjë ditë pushim. Në 90% të sektorit privat, nuk zbatohet Ligji  i Punës e as Marrëveshja Kolektive, theksoi më tej ai.

“Kemi thënë se pjesa më e madhe e punëtorëve në sektorin privat, janë pa kontrata, po del ajo. Sipas të dhënave statistikore ka dal, për çka ne kemi dokumentacion këtu, se punëtorët e moshës prej 15-24 vjeç, mbi 38.5% të punëtorëve të këtij sektori janë pa kontrata pune. D.m.th është ajo që pak a shumë edhe ne gjithmonë e kemi reflektua.”

Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat të Kosovës, kritikoi edhe inspektorët se nuk po angazhohen në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve në sektorin privat.

Në Kosovë është hapur zinxhiri i ushqimeve të shpejta, ndër më të njohurit në botë, KFC (Kentucky Fried Chicken). Ky fast-food amerikan, është hapur tek qendra tregtare Albi Mall, që ndodhet në periferi të Prishtinës. KFC është rrjet i restauranteve ushqimore, që për specialitet ka pulat e fërguara. Me më shume se 19,400 restaurante në mbi 120 shtete, KFC është ndër brendet lidere në botë në këtë industri. Së shpejti në Kosovë do të hapet edheBurger King, një tjetër brend botëror i ushqimeve të shpejta.

Ministri i Financave Avdullah Hoti takoi në Prizren Shoqatën e Artarëve dhe Zejtarëve të Prizrenit dhe i siguroi ata se ky sektor i ekonomisë është me shumë rëndësi për Qeverinë.

Në këtë takim Ministri Hoti diskutoi dhe prezantoi Udhëzimin Administrativ 05/2016 për Skemën e Veçantë për Arin e Investueshëm dhe Udhëzimin Administrativ 07/2016 për Arin e Investueshëm si dhe për politikat fiskale për artarët dhe zejtarët në veçanti:

\"Me këto dy udhëzime kemi krijuar mundësinë e lirimit nga tatimi doganor në import të artit të papërpunuar dhe gjithashtu të lirimit nga TVSh të arit të papërpunuar. Kjo mundëson legalizimin e këtij sektori të rëndësishëm për ekonominë.\"

Po ashtu Ministri Hoti siguroi Shoqatën e Artarëve se në të ardhmen Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Financave do të punojnë për të siguruar cilësinë e arit, duke hequr vulosjen por duke aplikuar metodat më bashkëkohore të kontrollit të cilësisë së arit.

Gjithashtu Qeveria do të kujdeset edhe për krijimin e bazës ligjore që bankat komerciale të ofrojnë mundësinë e depozitimit të arit në safe box, siç është në vendet e zhvilluara. Do të nxisin bankat të involvohen në shitblerjen e arit.

Ministria e Financave njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se Ligji për Faljen e Borxheve publike për periudhën kohore deri më 31 dhjetor 2008, është në fuqi deri më 02 shtator 2016.

Me këtë Ligj përfitojnë të gjithë personat, të cilët kanë obligime të pashlyera ndaj Institucioneve Shtetërore dhe Kompanive Publike në Kosovë.

Prandaj rikujtohen të gjithë qytetarët të cilët përfitojnë nga falja e borxheve publike për periudhën deri më 31 dhjetor 2008 që të lidhin marrëveshje me Institucionin Shtetëror apo Ndërmarrjen Publike për pagesën e borxheve.

Në rastin kur arrihet marrëveshja sipas Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, personat e tillë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe faljen e ndëshkimeve për periudhën nga 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014.

Mos hezitoni, shfrytëzoni këtë të drejtë ligjore dhe përfitoni nga falja e borxheve”, thuhet në komunikatën e Ministrisw së Financave.

Sipas Raportit të gjashtëmujorit të parë të vitit 2016, të hyrat kanë shënuar rritje prej mbi 17%. Po ashtu ky gjashtëmujor është karakterizuar me një ritëm të përshpejtuar të rritjes së aktivitetit ekonomik krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2015, ku rol të veçantë kanë luajtur masat e ndërmarra në kuadër të reformave të të bërit biznes, rritja e besueshmërisë së investitorëve, si dhe përmirësimi i vazhdueshëm dhe gradual i ambientit të jashtëm ekonomik në përgjithësi.

Përveç ndikimit të këtyre politikave, në trendin pozitiv të të hyrave kanë ndikuar edhe masat e ndërmarra nga agjencitë mbledhëse të të hyrave për ngushtimin e hendekut tatimor, rritjen e efikasitetit në mbledhjen e të hyrave si dhe në luftimin e ekonomisë joformale.

Të hyrat kanë shënuar rritje prej mbi 17.1% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje ka qenë kryesisht e shtyrë nga të hyrat e rregullta tatimore, ndërkaq të hyrat jo-tatimore kanë pasur nën-realizim e në veçanti të hyrave nga devidenda.

Ndërkaq, pagesat kanë shënuar rritje prej 10.0%, ku kontributin më të madh në këtë rritje gjatë kësaj periudhe e ka dhënë rritja e shpenzimeve kapitale. Në këtë rritje ka ndikuar gjithashtu edhe rritja e shpenzimeve në subvencione dhe transfere dhe shpenzimeve për paga dhe mëditje.

Performanca e të hyrave tatimore gjatë kësaj periudhe gjashtëmujore ka qenë e kënaqshme dhe kjo performancë pozitive nuk duhet parë si mundësi për iniciativa të reja në shpenzime pasi ka mjaft obligime nga politikat ekzistuese dhe investimet kapitale të cilat do të vazhdojnë edhe në dy vitet e ardhshme.

Nën kryesimin e ministres për Dialog, Edita Tahiri, është mbajtur takimi i radhës i Bordit Drejtues të Projektit të IBM për ndërtimin e pikë-kalimeve të përhershme kufitare në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrës në takim ishin anëtarët e Bordit Drejtues të përbërë nga grupi shtetëror punues për marrëveshjen e IBM-së dhe përfaqësuesit e BE-së, Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë dhe UNOPS si partner implementues i kontraktuar nga BE-ja.

Qëllimi i këtij takimi ka qenë finalizimi dhe provimi i projekteve për pikëkalimet kufitare në Merdare, Bërnjak dhe Mutivodë, për të cilat sipas Marrëveshjes së Brukselit për IBM dhe Protokollit Teknik, shteti I Kosovës është palë nikoqire. Ndërsa për tre pikëkalimet tjera kufitare, pala Serbe është palë nikoqire e projekteve ndërtuese.

Në këtë takim, ministrja Edita Tahiri ka folur për rëndësinë e ndërtimit të pikëkalimeve të përhershme kufitare sipas modelit evropian të IBM duke vlerësuar se ky proces po zhvillohet sipas dinamikave të dakorduara në Bordin Drejtues të Projektit.

Sipas agjendës së takimit fillimisht UNOPS ka prezantuar planet finale të këtyre pikë-kalimeve të cilat janë projektuar në pajtim me kërkesat funksionale të autoriteteve të Kosovës, respektivisht Policisë së Kosovës, Doganës së Kosovës dhe Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinës (AVUK). Pas një shqyrtimi të detajuar nga ana e anëtarëve të Bordit Drejtues është bërë aprovimi i projekteve finale.

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” është certifikuar në nivelin e parë të programit për Akreditimin e Karbonit në Aeroporte (ang. Airport Carbon Accreditation) për kontributin e dhënë në përcaktimin e burimeve dhe kalkulimin e emetimit të gazrave sere në baza vjetore brenda kompanisë.

Duke marrë parasysh problemet qe vijnë si rezultat i kësaj dukurie dhe ndikimin e aeroporteve në rritjen e vetëdijes për mbrojtjen e ambientit, Aeroporti i Prishtinës ka filluar me identifikimin e faktorëve ndikues, për të vazhduar me planifikimin e strategjive që do të ndikojnë pozitivisht në zvogëlimin e emetimit te gazrave.

Akreditimi i Karbonit në Aeroporte është program i cili administrohet nga kompania WSP | Parsons Brinckerhoff të caktuar nga Këshilli Ndërkombëtar i Aeroporteve në Evropë (ang. ACI Europe), i cili përfaqëson rreth 500 aeroporte nga 45 vende Evropiane.

Pas diskutimeve jashtë rendit të ditës, deputetët e Kuvendit, kanë miratuar Marrëveshjen Financiare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, si dhe Marrëveshjen e Garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim e Zhvillim për Projektin e Trafikut Urban të Prishtinës.

Kredia e Berzh-it për rehabilitimin e Hekurudhës numër 10, me gjatësi 148 km, nga kufiri me Serbinë në veri të Kosovës (stacioni Leshak) deri në kufi me Maqedoninë (stacioni Hani i Elezit), është vlerësuar shumë i rëndësishëm për partitë në pushtet. Mirëpo, jo shumë edhe për Lëvizjen Vetëvendosje. Megjithatë, deputeti i kësaj Lëvizjeje, Glauk Konjufca,tha se kanë vendosur të votojnë për marrëveshjen.

Kurse kryetari i GP të LDK-së Ismet Beqiri tha se e përshëndet gatishmërinë e LVV të votoj diçka në interes të vendit.

Me shumicë votash, kuvendi miratoi kreditë nga Berzh për hekurudhat, si dhe për trafikun urban të Prishtinës. Ndryshe, deputetët kanë miratuar edhe raportin vjetor të Bankës Qendrore për vitin 2015, si dhe Marrëveshjen e kredisë për financimin e Projektit të modernizimit të shërbimeve të Kardiologjisë Invazive në QKUK.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)