Shkarkohet kryeshefi Ekzekutiv i KUR 'Prishtina', Gjelosh Vataj
Prishtinë, 8 mars - Bordi i Drejtorëve të KUR"Prishtina", ka shkarkuar Kryeshefin Ekzekutiv Gjelosh Vataj dhe Zyrtarin Kryesor Financiar Selatin Retkoceri.
Bordi i Drejtorëve të KUR Prishtina sh.a. njofton opinionin publik dhe të gjitha palët e interesit, se në bazë të kreut IV, Neni 21, pika 21.1 të Ligjit mbi Ndërmarrjet Publike, në mbledhjen e saj të jashtëzakonshme të mbajtur më datë 08.03.2016, ka marrë vendim për shkarkimin e Kryeshefit Ekzekutiv z. Gjelosh Vataj dhe Zyrtarit Kryesor Financiar z. Selatin Retkoceri.
Arsyetimi për shkarkimin e Vataj dhe Ratkoceri është i bazuar në të gjeturat e specifikuara në raportet e Auditimit të Brendshëm mbi shkeljet etike e ligjore në kontekst të legjislacionit të prokurimit publik, të pasqyruara në raportin e Auditimit të Brendshëm te proceset e prokurimit dhe furnizimeve; deklarimin dhe raportimin e pasaktë financiar te raporti i TM4, përkatësisht pasqyrave financiare; brengat e grupeve të interesit për ecurinë etike të biznesit / shërbimeve dhe projekteve kapitale; humbjen e besimit të publikut, rrezikun e dëmtimit të reputacionit të ndërmarrjes; mos rikuperimin e raporteve me palët e interesit përfshirë komunat dhe donatorët; mos reflektimin relevant dhe konsistent karshi rekomandimeve të Bordit të Drejtorëve dhe komitetit të auditimit, lidhur me aktivitetet biznesore të ndërmarrjes KUR Prishtina sh.a.; mos efiqencën dhe efikasitetin menaxherial të ndërmarrjes në kontekst financiar, të performancës, teknik e operativ; zbehjen e marrëdhënieve me donatorët dhe institucionet vendore e ndërkombëtare; krijimin e grupeve / klaneve me qëndrime dhe prononcime të kundërta lidhur me gjendjen e ndërmarrjes, të cilat kanë krijuar amulli për një informim të drejtë të opinionit dhe palëve me interes.