Shkaqet e eurokrizës nuk kanë kapërcyer ende
Frankfurt, 19 shtator - Për një kohë të gjatë u duk, sikur në Evropë po kthehej me ngadalë qetësia dhe se ekonomia po e merr veten gradualisht, Greqia po i bën detyrat e shtëpisë dhe po konsolidon buxhetin.
Por Jërg Krämer, kryeekonomist i Commerzbank, është i kujdesshëm në vlerësime: \"Ne shohim disa përparime si për shembull në Spanjë, në Portugali, Irlandë\", thotë Krämer për DW. Këto vende e kanë rifituar aftësinë konkurruese përmes reformave.
\"Por akoma nuk mund të shënojnë suksese. Sidomos në vendin më të madh të krizës në Itali.\"
Italia po humbet vazhdimisht aftësinë për të konkurruar. Por sikur të mos mjaftonte kjo: në takimin e fundit të ministrave të Financave të BE në Vilnius të Lituanisë edhe Franca, ekonomia e dytë për nga rëndësia në Evropë, u qortua për shkak të mungesës së vullnetit për t\'u reformuar.
Përveç kësaj Sllovenia mund të jetë një vend i ri problematik, sepse në bilancet e bankave ka mungesë milionash. Përveç kësaj që këtë vjeshtë përfundojnë programet e ndihmës për Irlandën, Spanjën, dhe Portugalinë.
Greqisë i duhen më shumë para, është e qartë edhe para zgjedhjeve parlamentare në Gjermani: \"Njëmbëdhjetë miliardë për dy vitet e ardhshme\", vlerëson Johannes Mayr, ekspert i euros në bankën Bayern LB.
\"Dhe pastaj do të jetë i nevojshëm një program i mëtejshëm, ndoshta në vlerën e dhjetë miliardë eurove, për t\'ia lehtësuar këtij vendi kalimin në tregun e kapitalit privat\", thotë Mayr për DW.
A ekziston rreziku i një vjeshte të nxehtë, i një versioni të ri të krizës së euros? Ekonomisti i bankës Commerzbank, Jërg Krämer, nuk do ta përjashtojë një gjë të tillë, sepse për të shkaqet e krizës nuk janë kapërcyer ende: \"Ne nuk kemi arritur ende suksesin me reforma, por kemi në sfond Bankën Qendrore Evropiane, e cila përmes politikës së parasë së lirë e fsheh këtë krizë.\" \"
A është i dëmshëm diktati i kursimit?
Mungesë e aftësisë konkurruese, deficite të mëdha buxhetore, mangësi në kontrollin bankar, në të gjitha këto fusha problematike nuk është punuar sa duhet. Dhe përsa i përket reformave strukturore dhe konsolidimit të buxhetit evropianët e veriut e shohin veten të konfrontuar me akuzën, se u imponojnë shteteve jugore kursime pa fund.
Një argument, që nuk vlen për ekonomistin e Commerzbank, Jërg Krämer: \"Nuk ka alternativë tjetër, që të jetë ekonomikisht e arsyeshme, përveç kursimeve.\"
Që në fund të tunelit ka përsëri dritë, e kanë treguar vendet balltike: \"Ata ka disa vite që bëjnë kursime shumë të rrepta, të cilat kanë qenë të dhimbshme, por tani kriza ka kaluar dhe këto vende po shënojnë përsëri rritje.\"