07 Nëntor 2024

Shkalla e papunësisë në vitin 2017 është 30.5%

Prishtinë, 10 korrik - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar rezultatet e Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë 2017.

Anketa ka pasur shtrirje në 589 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 480 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011.

Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.

Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë,  statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.

Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.

Në kuadër të popullsisë me moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 41.7%. 

Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për tremujorin e parë (TM1) 2017 është 28.9%.

Punësimi me i lartë është te meshkujt (44.6%), ndërsa punësimi te femrat është 13.0%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 49.8% të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e ndërtimtarisë, prodhimit dhe tregtisë, me 43.8%.

Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.2%; prodhimi me 13.4%; ndërtimtaria me 11.2%; dhe arsimi me 9.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.

Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 31.1% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 68.9% kanë kontratë të përkohshme.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2017, shkalla e papunësisë është 30.5%.

Papunësia më e theksuar është te femrat me 34.6 %, krahasuar me meshkujt, 29.3%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 50.5%.

Sipas rezultateve të AFP-së, në TM1 2017, fuqia joaktive është mjaft e lartë me 58.3%, me fokus të veçantë te femrat me 80.2%, krahasuar me meshkujt, 36.9%.

Për realizimin e AFP-së, TM1 2017, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)