Shkalla e papunësisë në vitin 2013 sillet në 30 për qind
Prishtinë, 7 korrik - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) bën publikimin e rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2013.
Ky publikim, përmban të dhëna për vitin 2013 lidhur me indikatorët kryesorë të tregut të punës, që kanë të bëjnë me shkallën e punësimit dhe shkallën e papunësisë, sipas gjinisë, si dhe krahasueshmërinë e këtyre të dhënave me vitin 2012.
Në aspektin metodologjik, anketa ka pasur shtrirje në 600 Qarqe Regjistruese, ku janë intervistuar 4 800 Ekonomi Familjare.
Mostra ka pasur shtrirje në tërë territorin e vendit, duke përfshirë edhe veriun e vendit. Përzgjedhja e mostrës është bërë përmes metodës së rastit. Ekonomitë Familjare kanë pasur një anketim dhe tri rianketime.
Sipas rezultateve të AFP-së, të dala për vitin 2013, në Kosovë kemi një përmirësim të shkallës së punësimit, ndërsa shkalla e papunësisë ka një rënie të lehtë.
Shkalla e papunësisë në vitin 2012 ishte 30.9%, ndërsa në vitin 2013 sillet në 30.0%, gjë që kemi një rënie të lehtë nga viti 2012 në vitin 2013 për 0.9%.
Sa i përket shkallës së punësimit në vitin 2012, shkalla e punësimit ishte 25.6%, ndërsa në vitin 2013 shkalla e punësimit rezulton me 28.4%. Po ti krahasojmë me rezultatet e AFP-2012, në vitin 2013 kemi një rritje të shkallës së punësimit për rreth 2.8%.
Me rastin e realizimit të këtij publikimi, ASK-ja falënderon të gjithë akterët që kanë kontribuar në realizimin e këtij publikimi. Posaçërisht, falënderon ekspertët e Bankës Botërore, që kanë kontribuar në aspektin profesonal; po ashtu, falënderon edhe Qeverinë e Finlandës, e cila përmes UNDP-së ka ofruar mbështetje financiare për mbledhjen e të dhënave në terren.
Këto rezultate, sipas planifikimit, është dashur të publikohen para një muaj e gjysmë, por meqenëse ASK-ja ka pasur nevojë për ekspertizë ndërkombëtare për kontroll, përpunim dhe finalizim të këtyre të dhënave, ka ndodhur kjo vonesë kohore.
Me këtë rast, ASK-ja u kërkon falje të gjithë shfrytëzuesve të statistikave zyrtare, që me padurim i kanë pritur të dhënat e AFP-së.