Shkalla e papunësisë në Shqipëri është 15,5 për qind
Tiranë, 10 shtator - INSTAT publikoi raportin e tremujorit të dytë për punësimin në vend. Në tremujorin e dytë 2016, shkalla e papunësisë është 15,5 për qind duke shënuar një ulje prej 1,1 pikë përqindje nga tremujori i parë i këtij viti, bën të ditur INSTAT.
Sipas INSTAT, në popullsinë në moshë pune, individët që janë aktivë në tregun e punës (duke punuar apo në kërkim aktiv të një pune) përbëjnë 65,8 për qind të saj.
Popullsia në moshë pune ekonomikisht jo aktive përbën 34,2 për qind të popullsisë 15-64 vjeç.
Punësimi shfaq një tendencë në rritje si në terma vjetorë ashtu dhe në terma tremujorë.
Në terma vjetorë (krahasimi mes tremujorit të dytë të vitit 2016 me të njëjtin tremujor të vitit 2015) punësimi u rrit me 6,8 për qind. Krahasuar me tremujorin pararendës punësimi u rrit me 1,8 për qind.