Shkalla e papunësisë në Kosovë është 27.5 për qind
Prishtinë, 15 maj - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon rezultatet kryesore të Anketës së Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2016.
Anketa ka pasur shtrirje në 1030 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 6 298 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.
Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, del se dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.
Në kuadër të popullsisë me moshë pune, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore ishte 38.7%.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP) për vitin 2016 ishte 28.0%.
Punësimi me i lartë ishte te meshkujt, 43.0%; ndërsa, punësimi te femrat ishte 12.7%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetesor, me 51.3% të tyre; ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, ndërtimtarisë dhe tregtisë, me 44.3%.
Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë: tregtia me 14.8%; prodhimi me 13.2%; ndërtimtaria me 11.5%; dhe arsimi me 10.6%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa i përket të punësuarve me kontrata, del se 29.5% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 70.5% kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të AFP -së për vitin 2016, shkalla e papunësisë është 27.5%. Papunësia më e theksuar është te femrat me 31.8%, krahasuar me meshkujt, 26.2%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 52.4%.
Kurse, fuqia joaktive është mjaft e lartë (61.3%), me fokus të veçantë te femrat me 81.4%, krahasuar me meshkujt (41.7%).
Për realizimin e AFP-së për vitin 2016, ASK-ja ka aplikuar metodologjinë dhe standardet e harmonizuara me rekomandimet e Eurostatit.