Shkalla e papunësisë në Kosovë 29.6 për qind
Prishtinë, 2 prill - Anketa ka pasur shtrirje në 1 047 qarqe regjistruese në tërë territorin e vendit, ku janë anketuar 3 570 ekonomi familjare, të përzgjedhura sipas metodës së rastit, nga korniza e Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave 2011. Ekonomitë familjare, të selektuara për anketim, përveç që kanë pasur një anketim, ato kanë pasur edhe tri rianketime sipas periudhës referuese.
Ky publikim përmban të dhëna të detajuara mbi punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.
Sipas rezultateve të dala nga ky publikim, dy të tretat e popullsisë në Kosovë janë popullsi në moshë pune. Në popullsinë e moshës së punës përfshihen moshat 15-64 vjeçare.
Në kuadër të popullsisë në moshë të punës, shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 40.9%.
Shkalla e punësimit në Anketën e Fuqisë Punëtore (AFP), për vitin 2018 është 28.8%.
Punësimi me i lartë është te meshkujt (45.3%), ndërsa punësimi te femrat është 12.3%. Femrat janë të punësuara, kryesisht në sektorët e arsimit, tregtisë dhe kujdesit shëndetësor, me 52.9 % të tyre, ndërsa meshkujt janë kryesisht të punësuar në sektorët e tregtisë, ndërtimtarisë dhe prodhimit me 43.0%.
Sektorët ekonomikë që prijnë me punësim vazhdojnë të jenë: tregtia me 17.0%; ndërtimtaria me 11.9%; arsimi me 11.3%; dhe prodhimi me 10.3%. Ndërsa, sektorët e tjerë marrin pjesë me përqindje më të vogël në punësim.
Sa u përket të punësuarve me kontrata, del se 25.5% e personave të punësuar kanë kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 74.5% kanë kontratë të përkohshme.
Sipas rezultateve të AFP-së, në vitin 2018 shkalla e papunësisë është 29.6%.
Papunësia më e theksuar është te femrat me 33.4%, krahasuar me meshkujt, 28.5%. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grupmoshat 15-24 vjeçare me 55.4%.
Sipas rezultateve të AFP-së, në vitin 2018 fuqia joaktive është mjaft e lartë me 59.1%, me fokus të veçantë te femrat me 81.6 %, krahasuar me meshkujt me 36.7%.
Për realizimin e AFP-së, për vitin 2018, metodologjia dhe standardet e aplikuara nga ana e ASK-së janë të harmonizuara me rekomandimet e Eurostat-it.
Për më shumë informata, lidhur me Anketën e Fuqisë Punëtore në Kosovë, 2018”, vizitoni: http://ask.rks-gov.net/sq/agjencia-e-statistikave-te-kosoves/sociale/tregu-i-punes