Shkalla e papunësisë më e lartë te femrat sesa te meshkujt
Kryeshefi Ekzekutiv i ASK-së, Isa Krasniqi ka thënë se në saje të ndihmës së USAID-it, nga janari i vitit 2012, ASK-ja zhvillon, për herë të parë Anketën e Fuqisë Punëtore në formë bashkëkohore.
"Përderisa ka pasur një shkëputje serike për shkaqe buxhetore për vitin 2010 dhe 2011. Ndërkohë, që ai falënderon Bankën Botërore, UNDP-në dhe organizatat e tjera për mbështetjen financiare dhe profesionale që kanë dhënë për AFP-në", ka theksuar Kastrati.
Publikimi i rezultateve të Anketës së Fuqisë Punëtore 2012 sipas Kastratit përmban të dhëna për punësimin dhe papunësinë sipas moshës, gjinisë, statusit të punësimit, aktiviteteve ekonomike, profesioneve dhe çështjeve të tjera të ngjashme, që kanë të bëjnë me tregun e punës.
Menaxheri i Bankës Botërore në Kosovë, Jan-Peter Olters ka thënë se papunësia është më shumë se mungesa e një pagese të rregullt dhe më shumë se varfëria që ajo shkakton.
Olters ka thënë se edhe pse ekonomia e Kosovës ka dëshmuar se është çuditërisht e qëndrueshme dhe vazhdoi të rritet me ritme të respektueshme gjatë një periudhe të karakterizuar nga dy kriza të njëpasnjëshme, ajo ende nuk ka zhvilluar një dinamizëm
aq të fortë sa të ketë një efekt të prekshëm në nivelet e punësimit dhe të të ardhurave të ekonomive familjare.
Si rezultat, papunësia dhe mungesa e perspektivave ekonomike, veçanërisht për të rinjtë, sipas tij mbeten tema numër 1 në Kosovë dhe sfida kryesore e politikave për Qeverinë.
Arsyet themelore pse një 22-vjeçar i diplomuar në universitet në Prishtinë nuk mund të gjejë punë të përshtatshme sipas Olters janë shumë të ndryshme nga barrierat që i pamundësojnë punësim fitimprurës një punëtori 50-vjeçar të një fabrike në Mitrovicë ose një bujku 35-vjeçar në zonat rurale të Kosovës.
Prandaj, përgatitja e masave më efektive të politikave të nevojshme për të përmirësuar klimën e biznesit sipas ij kërkon analizimin e informacioneve të zbërthyera sipas nën-segmenteve të ndryshme të tregut të punës së Kosovës, të ndara sipas gjinisë, moshës, rajonit, arsimit, përvojës paraprake, etj.
Sipas kësaj ankete, shkalla e pjesëmarrjes së popullsisë në fuqinë punëtore, nga personat që janë në moshë pune është 36.9%.
Ndërkohë që, shkalla e papunësisë është më e lartë te femrat sesa te meshkujt. Kurse, shkalla e papunësisë prek më shumë grupmoshat e reja.
"Shkalla e punësimit në mesin e femrave në moshë pune është vetëm 10.7%, krahasuar me 39.9% për meshkujt. Kjo shkallë shumë e ulët e papunësisë te femrat rrjedh nga kombinimi i pjesëmarrjes shumë të ulët në fuqinë punëtore dhe papunësia e lartë."
"Femrat ishin të punësuara kryesisht në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë (rreth 40% e femrave të punësuara). Meshkujt ishin kryesisht të punësuar në sektorët e prodhimit, tregtisë dhe ndërtimtarisë (duke punësuar më shumë se 40% të meshkujve të punësuar)", thuhet në raportin e ESK-së.
Papunësia tek të rinjtë është shumë e lartë në Kosovë ku sipas ESK-së në vitin 2012, të rinjtë në Kosovë kishin gjasa dy herë më shumë të jenë të papunë krahasuar me të rriturit dhe ky dallim ishte më i shprehur tek meshkujt.
Në mesin e personave të moshës 15-24 vjeçare dhe në fuqinë punëtore, 55.3% ishin të papunë. Papunësia është më e lartë te femrat e reja (63.8%) se te të rinjtë meshkuj (52.0%).
Raporti thekson se më shumë se një e treta (35.1%) e personave të moshës 15 deri 24 vjeçare në Kosovë nuk ishin në arsim, punësim apo trajnim. Kjo shifër është 40.0% për femrat e reja krahasuar me 30.7% për meshkujt e rinj.
Pjesa më e madhe e atyre që janë të punësuar raportojnë të punojnë me orar të plotë.
88.9% e të intervistuarve raportuan se punojnë me orar të plotë në punën e tyre kryesore, pa dallime të mëdha gjinore,
Arsyet e të punuarit me orar të pjesshëm dallojnë midis dy gjinive, pasi gratë, duke marrë përsipër më shumë rolin e kujdesit brenda familjes, reduktojnë orët në dispozicion për punësim.
Arsyeja numër një, si për meshkujt dhe për femrat, pse nuk punojnë me orar të plotë, ishte mungesa e një pune me orar të plotë.
Të intervistuarit që punojnë në sektorin qeveritar raportuan se punojnë më pak orë sesa te punësuarit në sektorin privat.
Vetëm 27.0% e personave të intervistuar kishin kontratë të përhershme në punën e tyre kryesore, ndërkohë që 73.0% kishin kontratëtë përkohshme.
Personat që kishin kontrata të përkohshme u pyetën se pse kishin këtë lloj kontrate dhe 92% e të intervistuarve raportuan se nuk kishte kontratë tjetët në dispozicion.
Pagat neto të shumicës së punonjësve ishin midis 300 deri 400 në muaj. Janë vërejtur dallime shumë të vogla gjinore.