05 Nëntor 2024

Shfrytëzimi i kiosqeve me përplot shkelje, parregullsi dhe padrejtësi

Prishtinë, 29 qershor - Pas një heshtjeje gati 3 vjeçare, zotimi i kryetarit të Prishtinës për t’ua dhënë familjeve në nevojë, të drejtën e shfrytëzimit të pronës komunale – kiosqet në kryeqytet, ndryshoi.

"Në shpalljen e komunës kriteri social – ai që dikur ishte kryesor, u zëvendësua me apetitet individuale të zhvatjes" - u tha në konferencën për media të Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë.

Procesi i njoftimit dhe i shpalljes për shfrytëzim të këtyre kiosqeve u bë me përplot shkelje, parregullsi dhe padrejtësi.

Nuk është zhvilluar asnjë diskutim publik dhe nuk është bërë asnjë studim fizibiliteti - tha deputetja Fitore Pacolli.

“Në kundërshtim me Ligjin Nr. 06/L-092 për dhënien në shfrytëzim dhe këmbimin e pronës së paluajtshme të Komunës, gjegjësisht me nenin 18, paragrafin 1 dhe 2, ky njoftim është bërë pa formuar paraprakisht Komisionin për Ankesa."

"Në këtë mënyrë, të gjitha palëve të interesuara, përveç heqjes së mundësisë për të aplikuar për shkak të kritereve, ua heq edhe mundësinë e animimit të këtyre palëve. Nuk respektohet as Neni 15, paragrafi 3, i cili obligon Komunën që në njoftim të paraqesë arsyeshmërinë për interesin publik apo impaktin në zhvillimin ekonomik të qytetit.” – tha ajo.

Nuk është bërë ndonjë analizë rreth dobisë financiare që do t’i sjellë qytetit dhe qytetarëve dhënia e hapësirës publike sipas kritereve të përcaktuara. Lista e kritereve për përfituesit potencialë nuk është diskutuar asnjëherë publikisht, tha deputetja Pacolli, duke theksuar se dobia që do t'i sillte dhënia e këtyre pronave kategorive në nevojë është e qartë, “46 familjeve do t’i jepej mundësia e zhvillimit dhe e pavarësimit nga varësia në skemën sociale dhe kategorinë e subvencioneve që komuna jep çdo vit për këto familje dhe komuna do të përfitonte duke u liruar nga obligimet që ka për mirëqenien e këtyre familjeve.”

Sipas saj, anashkalimi i fazave të domosdoshme të këtij projekti si dhe gjithë këto shkelje ligjore lënë shumë vend për të dyshuar. “Komuna e Prishtinës po imiton modelin qendror: në projekte ku përfshihen shuma të mëdha parash, dhe interesa të korporatave gjithçka kryhet shpejt dhe në heshtje.” – tha ajo.

Kryetari Vitia tha se me shpalljen e bërë shkelet parimi i trajtimit të barabartë të palëve për faktin se kriteret janë diskriminuese për shumicën e qytetarëve që janë të interesuar të përfitojnë nga kjo mundësi.

“Kriteri i përcaktuar për aplikuesit që të kenë rrjet të së paku 5 dyqaneve (marketeve) dhe qarkullimin prej 5 milionë eurove në 3 vite forcon bindjen se fituesit veçse janë përzgjedhur paraprakisht. Prandaj ne vlerësojmë se kriteret e vendosura në këtë shpallje, janë diskriminuese dhe vetëm sa nuk janë bërë me emra fituesit potencial.” – tha ai.

Kriteret e përcaktuara – sipas Vitisë, do ta mundësojnë aplikimin e vetëm një numri te caktuar personave juridik, duke përjashtuar nga gara të gjithë personat fizik apo personat tjerë juridik duke filluar nga bizneset e vogla, që diskriminohen nga këto kritere.

“Përse të mos jenë shfrytëzues kategori të tilla si: Personat me aftësi të kufizuara, nënat vetushqyese, rastet sociale, kategoritë e dala nga lufta që kanë nevojë për punë, si dhe shumë kategori të tjera që kanë shumë më shumë nevojë se sa ata që kanë qarkullime milionëshe.” tha Vitia.

Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje! në Prishtinë u bënë thirrje publike organeve përkatëse, filluar nga Autoriteti i Konkurrencës, Prokuroria dhe institucionet tjera që sa më shpejtë të reagojnë dh eta ndalin këtë padrejtësi karshi qytetarëve dhe bizneseve në Komunën e Prishtinës.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)