Shërbyesit civilë-30 euro bruto më shumë
Prishtinë, 28 maj - Të gjithë të kategorizuarit si nëpunës civilë sipas Ligjit për shërbimin civil, pagën e muajit maj do ta marrin për 30 euro bruto më të lartë.
Pagesa e këtyre mjeteve financiare vlenë deri me 31 dhjetor, ngase me 1 janar të vitit 2011 fillojnë së zbatuari Ligji për Shërbimin Civil dhe Ligji për Pagat e Nëpunësve Civilë.
Kjo u bë e ditur gjate konferencës per media te Ministrises se Administrates Publike Edita Tahiri, e cila tha se kjo rritje 30 euro nënkupton që për pagat minimale, të cilat përafërsisht janë 150 euro, rritja arrin deri në 20 %. Me këtë ngritje pagash, sindikalistët janë të kënaqur pjesërisht.
Ministrja Tahiri ka deklaruar se tashmë sfera e Adminstratës Publike i ka dy ligje bazike Ligjin për Shërbimin Civil dhe Ligjin për Pagat e Nëpunësve Civil, të cilat janë miratuar më 13maj, 2010 në Kuvendin e Kosovës. Ajo shprehu falënderimin e saj për deputetët e në veçanti Kryeparlamentarin, si dhe Krymenistrin dhe Qeverinë e Kosovës, të cilët janë angazhuar fuqishëm që sfera e administrates publike të bëhet me Ligj.
Është hapur një kaptinë e re në sundimin e ligjit në këtë fushë, si dhe në vënien e rendit dhe rregullit në kuptimin e statusit të nëpunësve civil, definimin e marrëdhënieve me punën, sistemin e gradimeve dhe përgjegjësitë. Gjithashtu, kjo hap rrugën drejt krijimit të vlerave për të cilat synojmë- një administratë të paanshme, moderne, profesionale, efikase dhe administratë e cila e ka për bazë qytetarin.
Në këtë konferencë shtypi, ministrja e MAP-it ka njoftuar lidhur me vendimin e Qeverisë për ngritjen e pagave në vlerë prej 30 Euro (bruto), në bazë mujore. Duke ju referuar Vendimit të Qeverisë Nr. 11/26, të datës 26.5. 2010 dhe Marrëveshjes mes qeverisë dhe Sindikatës, mistrja Tahiri ka sqaruar se nga kjo rritje përfitojnë të gjithë të kategorizuarit si Nëpunës Civil, sipas Ligjit për Shërbimin Civil, të aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.
Pagesa e kësaj ngritjeje fillon nga data 1 maj, 2010 deri më 31 dhjetor, 2010, përderisa gjatë kësaj periudhe do të përgatitet infrastruktura e nevojshme ligjore për fillimin e zbatimit të Ligjit për Shërbimin Civil dhe Ligjit për Pagat e Nëpunësve Civil, që nga 1 janari, 2011.
Përfaqësuessi i Sindikatës së Shërbimit Civil të Kosovës (SSHCK), z. Mursel Zymberi dhe Përfaqësuesi i Sindikatës së Pavarur të Judikaturës, z. Ismet Mehmeti të pranishëm gjithashtu në këtë Konferencë, shprehën kënaqësinë për vendimin e Qeverisë dhe falënderuan ministren Edita Tahiri për anagazhimin e saj gjatë procesit të dialogimit Qeveri-Sindikata, për zbatimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, nr. 88. Mënyra konstante e ngritjes së pagës bazë të nëpunësve civil ka qenë marrëveshje e përbashkët, duke siguruar ndarje proporcionale për të gjithë nëpunësit civil ka thënë z. Murseli para gazetarëve.
Kjo konferencë shtypi gjithashtu ka koinciduar me shndërrimin i Ministrisë së Shërbimeve Publike në Ministri të Administratës Publike, pas rekomandimeve të dala nga nga faza e parë e procesit të rishikimit funksional dhe organizimit institucional (të ministrive dhe Zyrës së Kryeministrit), të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.