Shërbime në interes të qytetarëve, pavarësisht kërcënimeve
Prishtinë, 6 janar - Komiteti i aksionarëve të Komunës së Prishtinës në kompaninë publike komunale Pastrimi, në përbërje Ardian Gashit, si përfaqësues i Kryetarit të Komunës dhe Fadil Gashi dhe Genc Sherifi si përfaqësues të Kuvendit Komunal, pas shkarkimit të kryetarit të bordit të kompanisë, me datë 27 dhjetor kanë marr vendim për emërimin e kryetarit të ri të bordit, Prof. Bardhyl Noci.
Me datën 30 dhjetor, kryesuesi i ri i bordit të ndërmarrjes Pastrimi, në kuadër të kompetencave të veta si kryesues ka thirrur mbledhjen e jashtëzakonshme të bordit të ndërmarrjes ku marrin pjesë përfaqësues të komunave të tjera të regjionit të Prishtinës, për të diskutuar mbi performancën e kompanisë Pastrimi, efikasitetin si dhe çështje të ndryshme të keqpërdorimeve që janë ngritur nga qytetarët, punëtorët dhe auditorët.
Në ditën kur është caktuar data e mbledhjes, kryeshefi ekzekutiv i kësaj ndërmarrje, Feim Salihu, në përcjellje të disa personave të tjerë ka penguar të autorizuarin e Komisionit Komunal të Aksionarëve të Komunës së Prishtinës për të kryer kompetencat e besuara nga ligji. Po ashtu, kryesuesi i Komisionit Komunal të Aksionarëve të Komunës së Prishtinës është kërcënuar dhe nuk ka arritur të hyjë në ndërmarrje deri në momentin kur ka intervenuar policia e Kosovës.
Lidhur me këtë rast, kryesuesi i Bordit të Drejtorëve ka ushtruar kallëzimin penal pranë Prokurorisë Themelore të Prishtinës nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale të pengimit të ushtrimit të detyrës zyrtare dhe kanosjes ndaj personit zyrtar.
Komuna e Prishtinës si pronare e mbi 70 përqind të aksioneve të kompanisë regjionale Pastrimi është zotuar se shërbimi dhe llogaridhënia për qytetarët janë primare. E njëjta vlen edhe në sektorin e mbledhjes së mbeturinave. Me borxhe që arrijnë mbi 1 milion euro, mbledhje jo efikase dhe menaxhim partiak të kompanisë, është e drejtë dhe detyrë e Komunës së Prishtinës të ndërmarrë masa për të përmirësuar gjendjen.
Njoftojmë opinionin publik se kërcënimet dhe shantazhet ndaj përfaqësuesve ligjor të Komunës së Prishtinës janë të papranueshme dhe nuk do të tolerohen në asnjë rrethanë. Komuna e Prishtinës do ta thirr mbledhjen e përgjithshme të kompanisë si dhe do të bëjë konsultimet e nevojshme me komunat e tjera mbi situatën e krijuar dhe hapat e mëtutjeshëm.
Njëkohësisht, përveç kallëzimit penal, Komuna e Prishtinës do të ndërmarr hapa të mëtutjeshëm brenda kompetencave që ka sipas Ligjit për Shoqëri Tregtare dhe Ligjit për Ndërmarrje Publike.
Mendësia e menaxhimit dhe drejtimit të ndërmarrjeve publike e instaluar tash e sa vite në Komunën e Prishtinës, ka bërë që zyrtarët e ndërmarrjeve publike mos të lejojnë çfarëdolloj ndryshimi i cili ka për qëllim rritjen e efikasitetit dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve publike të ofruara nga këto ndërmarrje. Kompanitë publike janë themeluar për të mirën e përgjithshme të qytetarëve të Komunës së Prishtinës dhe komunave të tjera që kanë aksione në këto ndërmarrje të regjionit të Prishtinës.
Këto modalitete të qeverisjes së kompanive në pronësi publike kanë pasur për qëllim të devalvimin e skajshëm të qeverisjes së tyre publike, në mënyrë që të bëhet zhvlerësimi i tyre dhe që më pas të privatizohen në çmime joreale edhe në gjendjen e tyre të falimentuar.
Për Komunën e Prishtinës janë më të rëndësishme interesat e qytetarëve për shërbime publike, sesa interesat e ngushta të individëve. Përfundimisht, Komuna e Prishtinës është e vendosur që ndërmarrjet publike lokale të jenë në funksion të qytetareve dhe shërbimeve sa ma cilësore ndaj tyre, dhe prej këtij synimi Komuna e Prishtinës nuk zmbrapset.