Shënohet Dita Ndërkombëtare e Tokës
Prishtinë, 22 prill - Më 22 prill, në mbarë botën, dashamirëse të mjedisit organizohen një varg aktivitetesh për të mirën e mjedisit dhe të njeriut, si: aktivitete pastrimi, gjelbërimi, pyllëzimi, manifestime në formë protestash, ekspozita, koncerte, vizita, peticione, orë edukative me nxënës, konferenca shkencore lidhur me problemet mjedisore etj.
Edhe në Kosovë janë organizuar shumë aktivitete për këtë ditë. Komuna e Obiliqit e cila njihet si komuna më e ndotur në Kosovë, do të pastrohet.
Drejtoria për Mbrojtjen Mjedisit e kësaj komune e ka marrë përsipër këtë organizim e cila në një aksion i cili do të organizohet në këtë qytet do të mundohen ta pastrojnë. Aksioni do të fillojë në orën 9:00.
Për këtë ditë po ashtu organizohet edhe ekspozitë me punimet e nxënësve, do të mbillen lule dhe do bëhet pastrimi i hapësirës përreth shkollës fillore Iliria në Milloshevë të Obiliqit. Ky aksion do të bëhet në këtë shkollë në ora 11:00. Ndërsa, në po këtë orë i njëjti organizim do të bëhet edhe në shkollën fillore Selman Riza në Fushë Kosovë.
Ndërsa Ekipi i Ta Pastrojmë Kosovën, me mbështetje dhe në partneritet me UNDP dhe UNDCO, kohët e fundit ka pilotuar nismën HapiiGjelbër-Kosovë.
Nisma shqyrton masa të reja parandaluese për ta mbajtur Kosovën të pastër, dhe jo vetëm për ta pastruar atë. Ky pilot përkon me Ditën e Tokës dhe temën e këtij viti "Qytetet e gjelbërta". Prezantimi zyrtar i nismës do të bëhet të marten më prill 22, 2014 nga or 10:55 deri 12:15, në katin e 5 të lokaleve të përbashkëta të agjencive të OKB-së në rr. e Zagrebit numër 39, Prishtinë.
Piloti HapiiGjelbër-Kosovë ka për qëllim përdorimin e mjeteve psiko-sociale të njohura si "teoria e shtytjes së lehtë", duke siguruar që permes shtytjeve joverbale, këmbësorët të drejtohen drejt koshit të plehrave dhe të shfrytëzojnë ato në një përpjekje për të ulur maksimalisht sasinë e hedhjes së mbeturinave në rrugë të qytetit nga këmbësorët.
Gjatë aktivitetit të parë HapiiGjelbër-Kosovë, ekipi ka siguruar matje bazë të cilat do të na ndihmojnë të përcaktojmë suksesin e ndërhyrjes.
Këto matje janë bërë me angazhimin vullnetar të 21 studentëve nga Universiteti "Hasan Prishtina", të cilët do të vazhdojnë të ndihmojë me ndërhyrjen dhe mbledhjen e të dhënave pas ndërhyrjes dhe analizës.
Kjo nismë është e hapur për partnerë të tjerë që kontribuojnë ose dëshirojnë të bashkojnë forcat për të bërë qytetet tona të gjelbërta, duke krijuar sinergji për zhvillim të qëndrueshëm.