Shenja pozitive të ekonomisë amerikane
Washington, 1 mars - Rritja ekonomike në Shtetet e Bashkuara ka filluar të marrë hov, veprimtaritë e bizneseve po rriten dhe të ardhurat personale po ashtu.
Kjo pasqyrë e ekonomisë amerikane vjen nga një sërë raportesh ekonomike të publikuara sot, të cilat nga ana tjetër tregojnë se tregu i shtëpive vazhdon të ketë probleme.
Shoqata Kombëtare e Agjentëve Imobiliarë thotë se numri i amerikanëve që kanë nënshkruar kontrata për të blerë shtëpi të përdorura, ra në janar.
Këto lloj shtëpish përbëjnë pjesën më të madhe të tregut, dhe ky është muaji i dytë me radhë që shitjet bien.
Ekonomistët presin që tregu i shtëpive të vazhdojë të ketë probleme, ndërsa ekonomia të rritet me një ritëm të moderuar.
Shoqata Kombëtare e Ekonomistëve të Biznesit thotë se ekonomia amerikane do të rritet me rreth 3,3 përqind këtë vit, pak më shumë se parashikimi i bërë në nëntor.
Një raport tjetër qeveritar thotë se të ardhurat personale të punonjësve amerikanë u rritën me 1 për qind në janar, rritja më e madhe në më shumë se një vit.
Të ardhurat personale janë baza e zgjerimit të shpenzimeve të konsumatorit, që janë motori i shumicës së veprimtarive ekonomike në Shtetet e Bashkuara.