16 Janar 2025

Shefi i ndërmarrjeve publike punësoi gruan në kompani publike

Prishtinë, 25 mars - Drejtori i ndërmarrjeve publike në kuadër të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE), Ramadan Sejdiu, është kujdesur që gjatë mandatit të tij ta punësojë bashkëshorten në njërën nga kompanitë më të madhe publike të vendit, Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Sipas burimeve të gazetës “Zëri”, Ramadan Sejdiu, duke shfrytëzuar autoritetin e vet prej shefit të ndërmarrjeve publike, ka punësuar në KOSTT bashkëshorten Zafire Sejdiu, ku sipas këtyre burimeve, konkursi ka qenë vetëm formal.

“Duke shfrytëzuar autoritetin e shefit të ndërmarrjeve publike, Ramadan Sejdiu ka punësuar bashkëshorten në KOSTT. Urdhri prej punësim ka ardhur prej lart dhe konkursi ka qenë vetëm formal”, shprehet burimi.

Nga ana tjetër, Ramadan Sejdiu, i kontaktuar të dielën nëpërmjet telefonit nga gazeta “Zëri” nuk e ka mohuar që bashkëshortja e tij është punësuar në KOSTT.
Mirëpo, sipas tij, një punësim i tillë është bërë në mënyrë të rregullt, nëpërmjet konkursit.

Ai ka shtuar se në mesin e mijëra punëtorëve që punojnë në kompanitë publike të vendit kanë të drejtë edhe familjarët e tij të jenë të punësuar.

“Ma gjeni diku bazën ligjore e cila e ndalon që një familjar i imi nuk ka të drejtë të punësohet në kompani publike. Punësimi është bërë në bazë të konkursit dhe nuk ka diçka joligjore”, shprehet Sejdiu.

Ai ka mohuar të komentojë më shumë nëse punësimi i bashkëshortes së tij është bërë duke e shfrytëzuar autoritetin e tij prej shefit të kompanive publike.

“Për këtë gjë shkoni pyetni në KOSTT. Keni të drejtë si gazetar ta bëni një gjë të tillë”, ka thënë shkurt ai.

Gjatë javës që lamë pas gazeta “Zëri” në lidhje me punësimin e bashkëshortes së shefit të kompanive publike i ka dërguar pyetje zyrtarëve për informim të KOSTT-it, mirëpo pavarësisht premtimeve se do të përgjigjen shumë shpejt, ata nuk e kanë bërë një gjë të tillë gjatë gjithë javës.

Ndërsa përfaqësuesit e shoqërisë civile akuzojnë zyrtarët e institucioneve se po e shfrytëzojnë autoritetin e tyre për t’i punësuar familjarët në kompani publike.

“Është shumë e qartë se persona me mbiemër të kryeministrit, ministrave dhe njerëzve tjerë me përgjegjësi institucionale po punësohen në kompani publike”, shprehet Ibrahim Rexhepi nga Qendra për hulumtime strategjike dhe sociale (STRAS).

Ai ka shtuar se zyrtarët me përgjegjësi te ndërmarrjet publike po e shfrytëzojnë pozitën e tyre për punësime të familjarëve pikërisht te kompanitë e tilla.

Përndryshe, më 13 mars 2013, Qeveria e Kosovës ka miratuar rregullat për lartësinë e kompensimit të anëtarëve të Bordeve të kompanive qendrore, ku në kategorinë e parë të kompanive publike ka futur edhe Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)