ShBK merr pjesë në takimin rajonal për Evropë dhe Azi Qëndrore
Frankfurt, 5 nëntor - Gjatë kësaj jave, me 4 dhe 5 nëntor, duke përfaqësuar Shoqatën e Bankave të Kosovës, Drejtori Ekzekutiv z. Petrit Balija, po merr pjesë në takimin e dytë rajonal për Evropë dhe Azi Qëndrore të organizuar nga Banka Qëndrore Evropiane (BQE) në bashkëpunim me Child & Youth Finance International i cili mbahet këtë vit në Frankfurt të Gjermanisë.
Temë kryesore e këtij takimi është edukimi financiar i qytetarëve, me fokus të veçantë në edukimin financiar të fëmijëve dhe rinisë në Evropë dhe Azi Qëndrore.
Përpos rritjes së vetëdijësimit të qytetarëve dhe fëmijëve rreth fushës së financave, qëllimet e takimit poashtu janë që të theksohet rëndësia e lidershipit të fortë në nivel rajonal, të definohet strategjia për përfshirjen e fëmijëve dhe rinisë në fushën e financave dhe të ju mundësoi fëmijëve dhe të rinjëve të ndajnë rekomandimet e tyre me vendimmarrësit kryesore në fushën e financave.
Në këtë takim po marrin pjesë edhe përfaqësues të lartë shtetëror nga Ministritë e Arsimit, Financave, Bankava Qendrore, përfaqësues të organizatave për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, dhe shumë zyrtarë tjerë.
Kjo konferencë do të shërbejë në të mirë të Kosovës pasi që Shoqata e Bankave të Kosovës është proklamuese e madhe e edukimit financiar përmes Revistës së ShBK-së e titulluar The Kosovo Banker, dhe trajnimeve që organizohen në kuadër të ShBK-së e që shërben për ngritjen e vetëdijësimit të qytetarëve rreth shërbimeve financiare në Kosovë, si dhe trajnimit të kuadros për përfishrje në fushën e financave.
Në këtë ngjarje të rëndësishme po marrin pjesë personalitete të rëndësishme nga rajoni dhe bota përfshirë edhe Guvernatorin e Shqipërisë Fullani, Guvernatorin e Maqedonisë Bogov, Guvernatori i Malit të Zi, Dakic si dhe Presidenti i Bankes Qendrore Europiane, Mario Draghi.