SHBA vazhdon ta përkrah Kosovën në fushën e ekonomisë
Prishtinë, 4 shtator - Ministri i Financave, Bedri Hamza ka pritur sot në takim zyrtar ambasadoren e porsaemëruar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Tracey Jacobson.
Ministri Hamza duke shprehur kënaqësinë për takimin e parë njohës me ambasadoren Jacobson, në emër të Ministrisë së Financave falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës për bashkëpunimin dhe për ndihmën e gjithanshme në zhvillimin e Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, e në veçanti Ministrinë e Financave.
Ndër tjera ai tha se ne si Ministri e Financave ndihemi si institucion i privilegjuar që gjatë gjithë kësaj kohe që nga themelimi, kemi pasur dhe vazhdojmë ta kemi mbështetjen e plotë të Qeverisë amerikane dhe këshilltarëve të shkëlqyeshëm të saj nga Departamenti i Thesarit amerikan dhe USAID-i.
Në këtë takim është diskutuar për situatën makrofiskale në Kosovë, ku Ministri Hamza ka informuar Ambasadoren amerikane për rrjedhat makroekonomike në Kosovë, për trendin e të hyrave, dhe për ekzekutimin e buxhetit.
Biseduam për relacionet e Kosovës me institucionet financiare ndërkombëtare në këtë rast edhe me FMN-në, për projektet e rëndësishme të zhvillimit ekonomik të Kosovës që janë në zhvillim e sipër, duke përfshirë edhe autostradën 7 por edhe projektet që pritet të vijnë në periudhën e ardhshme, biseduam për krijimin e ambientit të përshtatshëm për zhvillimin e ndërmarrjeve, sidomos në sektorin privat, dhe ne si Qeveri jemi të përkushtuar për rritjen ekonomike, jemi të përcaktuar që bartës i kësaj rritje dhe zhvillimit ekonomik të jetë sektori privat, ndërsa ne të krijojmë kushte duke ofruar ligje të mira dhe duke ofruar infrastrukturë fizike , tha Ministri Hamza.
Ai gjithashtu shtoi se në fund të takimit tonë, biseduam dhe e luta Ambasadoren për vazhdimin e bashkëpunimit të përkrahjes nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e në veçanti përkrahjen e këshilltarëve të thesarit amerikanë dhe të USAID-it, sepse kjo neve na bënë më të sigurt dhe na ndihmon në rrugën tonë drejtë që të ecim përpara.
Ndërsa, ambasadorja amerikane në Prishtinë, Tracey Jacobson, duke e cilësuar si një takim të shkëlqyeshëm takimin me Ministrin Hamza, tha se në këtë takim u informova rreth gjendjes ekonomike në Kosovë, për strategjitë afatshkurtra dhe afatmesme, për përpjekjet për të rritur të hyrat vetanake, si menaxhimin e shpenzimeve.
"Gjithashtu për baraspeshimin e investimeve dhe menaxhimin e projekteve të ndryshme, të cilat kërkojnë maturi dhe përpjekje të shumta.
Kisha kënaqësinë të dëgjoj nga vet Ministri, që Qeveria e Republikës së Kosovës, e çmon lart përkushtimin dhe përpjekjet tona për zhvillim e Kosovës, në të gjitha ato fusha që përmendi Ministri, e në veçanti në tërheqjen e investitorëve, shtoi ambasadorja Jacobson.
Duke siguruar ministrin Hamza se bashkëpunimi përmes USAID-it, Thesarit si dhe departamenteve të tjera të qeverisë amerikane, do të vazhdojë edhe më tej, Ambasadorja amerikane , tha se ne e konsiderojmë se ky bashkëpunim kaq i ngushtë është i rëndësishëm për të arritur rritjen ekonomike që po aspironi ju.