19 Nëntor 2024

SHBA, shtohet rritja ekonomike

Washington, 31 gusht - Ekonomia amerikane u rrit me një ritëm më të shpejtë në tremujorin e dytë se sa parashikimet e mëparshme.

Departamenti i Tregtisë tha se prodhimi i brendshëm bruto i vendit u rrit me një ritëm vjetor prej 2.5 përqind nga prilli deri në qershor, një përmirësim i dukshëm nga vlerësimi fillestar prej 1.7 përqind. Analistët thonë se shifra e fundit sugjeron se rimëkëmbja e ekonomisë amerikane po intensifikohet.

Ekonomia më e madhe në botë i ka tejkaluar parashikimet përsëri, duke kaluar dyfishin e ritmit të rritjes prej 1.1 përqind në tremujorin e parë.

Ekonomistët thonë se vlerësimi i tremujorit të dytë nuk tërheq vëmendjen në vend, por sipas analistit Jim O’Sullivan parashikimet e mëparshme për ngadalësimin e saj nga shkurtimet e shpenzimeve qeveritare dhe taksat e larta në fillim të këtij viti, bëjnë që ky përmirësim i ekonomisë të jetë i mirëpritur.

“Rritja prej 2.5 përqind nuk është e madhe. Por, natyrisht, duke marrë parasysh gjendjen ekonomike në muajt e mëparshëm, njerëzit ishin të shqetësuar se në tremujorin e dytë rritja ekonomike do të ishte më afër zeros”.

Rritja ekonomike u udhëhoq nga eksportet amerikane dhe shpenzimet e konsumatorëve të cilët shpenzuan më shumë në tremujorin e dytë në makina dhe pajisjet shtëpiake.

Një raport i tjetër mbi ekonominë tregon se aplikimet fillestare për aisistencë nga të papunët ranë, gjithashtu, me gjashtë mijë aplikime më pak se një javë më parë, një shenjë tjetër që tregon se kompanitë po pushojnë nga puna më pak punonjës.
 
“Këto shifra janë tregues të një rimëkëmbje graduale, dhe unë mendoj se kjo i hap rrugën Rezervës Federale të fillojë ndërprerjen graduale të programeve të stimulimit të ekonomisë”.

Rezerva Federale po ndjek nga afër prirjet e ekonomisë për të mësuar se kur duhet të fillojë ndërprerjen e blerjes së bonove të thesarit me vlerë 85 miliard dollarë në muaj. Ky program i ka mbajtur të ulëta normat afatgjata të interesit, duke e lehtësuar marrjen e kredive për kompanitë dhe individët. Ky program ka ndihmuar edhe rimëkëmbjen e tregut të shtëpive.

Por disa analistë thonë se faktorët e jashtëm, duke përfshirë një sulm të mundshëm ushtarak në Siri, mund të vonojë shkurtimin gradual të këtyre programeve. Michael Gayed është strateg i investimeve në kompaninë Pension Partners.

“Lufta është përfundimisht justifikim për mos ndërprerjen e programeve të stimulimit të ekonomisë. Dhe në qoftë se ajo që po ndodh në Siri shkakton luhatje të tregjeve, Rezerva Federale nuk ka të ngjarë të heq dorë nga programet e stimulimit të ekonomisë në shtator”.

Rënia e besimit të konsumatorit në muajt e fundit dhe rritja e çmimeve të energjisë gjithashtu mund të vonojë ndërprerjen e programeve të bankës qendrore për stimulimin e ekonomisë. Një tjetër tregues që do të vëzhgohet nga afër janë shifrat e papunësisë për muajin gusht që pritet të publikohen në fillim të muajit të ardhshëm.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)