SHBA: Shtohen kërkesat për kompensime nga papunësia
Washington, 26 gusht - Numri i amerikanëve që kërkuan kompensime nga papunësia u shtua pak javën e kaluar, pjesërisht për shkak të grevës së punonjësve të një kompanie komunikacionesh.
Raporti i sotëm i Departamentit të Punës vë në dukje se kërkesat për kompensime nga papunësia u rrit me 5,000 javën e kaluar, duke arritur në një total prej 417 mijë në gjithë vendin.
Disa ekspertë thonë se pa grevën e punonjësve të kompanisë Verizon Communications numri total i të papunëve do të kishte rënë pak. Zhvillimi ekonomik në Shtetet e Bashkuara nuk ka qënë i fuqishëm sa duhet për të ulur papunësinë e tanishme prej 9.1 për qind.
Ekonomistët parashikojnë se shifrat e reja, që do të publikohen nesër, do të tregojnë se ekonomia amerikane u rit me një shkallë vjetore prej 1.1 për qind në muajt prill, maj dhe qershor.
Vendet e punës, zhvillimi ekonomik dhe çështje të tjera ekonomike e financiare do të jenë në krye të rendit të ditës së një takimi të ekonomistëve të lartë nesër, mes tyre edhe Drejtori i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke.
Investitorët dhe ekonomistët kanë spekulluar për disa ditë me radhë nëse zoti Bernanke do të ofrojë ndonjë program të ri për të stimuluar zhvillimin ekonomik.