SHBA: Politikat ekonomike të Gjermanisë janë egoiste

Washington, 1 nëntor - Për herë të parë që nga nisja e krizës financiare globale, Shtetet e Bashkuara kritikuan drejtpërdrejtë politikat ekonomike të Gjermanisë duke i quajtur ato egoiste.
Në një raport, Thesari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara thotë se Berlini me qëndrimet e tij tepër egoiste po frenon rimëkëmbjen ekonomike të Europës dhe dëmton vecanërisht partnerët e tij në Eurozonë.
Rritja anemike e kërkesës së brendshme dhe varësia e këtij vendi nga eksportet pengojnë ribalancimin e ekonomive, ndërkohë që vendeve të tjera të Eurozonës iu kërkua të frenojnë kërkesën e tyre të brendshme, thuhet në raport.
Sipas specialistëve amerikanë, e gjithë kjo coi në një tendencë deflacioni, fillimisht në vendet e Eurozonës e më pas në gjithë ekonominë globale.
Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i Berlinit. Ekonomia gjermane është kompetitive, punësimi është në nivele rekord dhe të kritikohesh për të tilla suksese për ne është e pakuptueshme, thuhet në reagimin gjerman.
Në vend që të paragjykojë, Shtetet e Bashkuara duhet të analizojnë seriozisht situatën e ekonomisë së tyre. Bilanci ynë tregtar reflekton konkurrueshmërinë e ekonomisë tonë dhe vlerësimin e fortë ndërkombëtar për produktet tona, deklaroi Michael Meister, Ministri gjerman i Ekonomisë.
Këto nuk janë kritikat e para të Uashingtonit ndaj Gjermanisë sa i takon politikave ekonomike. Dy vite më parë, presidenti Obama i kërkoi kancelares gjermane, Angela Merkel që Gjermania të hapej më shumë për mallrat e importit dhe të rriste konsumin, ndërsa thirrjet për të ndihmuar vendet në krizë në Eurozonë përmes rritjes së shpenzimeve dhe jo masave shtrënguese kanë qenë të panumërta.
Megjithatë, në ndryshim nga herët e tjera në dy vitet e fundit, raporti i Thesarit këtë herë drejton gishtin nga Berlini si fajtori për ngërçin e stërzgjatur ekonomik dhe mbërrijnë në një moment kur mes dy vendeve ka një ftohje diplomatike pas shpërthimit të skandalit të përgjimeve amerikane, nën lupën e të cilëve ishte përfshirë edhe celulari personal i Merkel.