SHBA po përgatitet të hedhë në gjyq mbi 12 banka
New York, 3 shtator - Gazeta New York Times ka bërë të ditur se qeveria amerikane po përgatitet të hedhë në gjyq mbi 12 institucione financiare, që sipas autoriteteve, nuk kanë bërë transparente rrezikun e instrumenteve financare të bazuara tek kreditë e shtëpive që ato shkëmbenin në tregun e aksioneve dhe që ndikuan në krizën financiare të vitit 2008.
Sipas New York Times Agjencia Federale për Kreditimin e Shtëpive pritet të ngrejë akt-padi ndaj bankave JP Morgan Chase, Goldman Sachs, Bank of America dhe disa të tjera.
Bankat i bashkonin huatë e shtëpive dhe ua shisnin ato investitorëve në formë instrumentash financiare në bursë.
Sipas autoriteteve bankat nuk i kushtuan rëndësi faktit që të ardhurat e klientëve që i kishin marrë këto hua për shtëpitë e tyre ishin të zmadhuara ose të falsifikuara.
Kur klientët-huamarës nuk ishin në gjendje të paguanin këstet e kredive, vlera e këtyre aksioneve ra, duke çuar në krizë financiare.