SHBA: Përmirësohet tregu i punës, papunësia bie në 8.3 për qind

Washington, 4 shkurt - Në raportin e përmuajshëm të qeverisë amerikane të publikuar sot, thuhet se tregu i punës u rrit ndjeshëm në muajin janar, duke shtuar rreth 243 mijë vende të reja pune.
Niveli i papunësisë u pakësua me 0,2 për qind, duke rënë në 8,3 për qind, shifra më e ulët në thuajse 3 vjet.
Shifra e publikuar sot i tejkaloi ndjeshëm vlerësimet e mëparshme të ekonomistëve dhe analistët thanë se raporti sinjalizoi se rimëkëmbja e ekonomisë së ngadalësuar amerikane mund të ndodhë me një ritëm më të shpejtë nga sa mendohej më parë.
Raporti për vendet e punës dhe nivelin e papunësisë mund të jenë bërë treguesit kryesorë për rimëkëmbjen e ekonomisë amerikane.
Drejtori i Bankës Qendrore Amerikane Ben Bernanke tha këtë javë se rimëkëmbja e ekonomisë së zhytur nga viti 2007 deri në vitin 2009 në recesionin më të madh në 7 dekada, kanë qenë tepër e ngadalshme dhe mundet që këtë vit rritja ekonomike të jetë jo më tepër se 2,7 për qind.
Presidenti Obama tha se raporti i sotëm i punësimit tregon se rimëkëmbja e ekonomisë amerikane po përshpejtohet.
Ai i bëri thirrje Kongresit ta shtyjë pa humbur kohë afatin për shkurtimin e taksave, që prek 160 milionë punonjës amerikanë dhe që do të skadonte në fund të muajit shkurt, si dhe përfitimet për të papunët, në mënyrë që ekonomia të mos ngadalësohet.