11 Maj 2024

SHBA ndan mbi 62 milionë dollarë për Kosovën

Prishtinë, 17 shtator - Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe Ambasadorja e SHBA në Republikën e Kosovës Tracey Ann Jacobson, si dhe Maureen A. Shauket, Drejtore e Misionit të USAID-it, nënshkruan Marrëveshjen ndërshtetërore për Asistencë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në fushën e zhvillimit ekonomik dhe punësimit të të rinjve.

Marrëveshja e nënshkruar do të ofrojë mundësi më të mëdha për edukimin e të rinjve, si dhe do të përkrahë krijimin e Autoritetit për Mbështetje Kreditore, që do të ofrojë hua për bujqit në Kosovë, sidomos për gratë fermere.
 
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e ka vlerësuar marrëveshjen si një ndihmë konkrete dhe të vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën në fushën e ekonomisë, të bujqësisë dhe të forcimit të institucioneve demokratike, në edukimin e të rinjve dhe hapjen e vendeve të reja të punës për ta.
 
Ajo tha se ndihma amerikane për Kosovën është e rëndësisë së veçantë dhe luan një rol të fuqishëm në avancimin e të gjitha proceseve demokratike për vendin.

Ky dokument e përcakton përkushtimin e Qeverisë së Shteteve të Bashkuara për të ofruar 62,519,966 dollarë apo 47,727,740 euro në fonde për vitin 2012, për të mbështetur një spektër të gjerë të aktiviteteve të asistencës të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), për të përmirësuar demokracinë, qeverisjen, dhe zhvillimin ekonomik në Kosovë.  

Këto fonde po ashtu do të përdoren edhe për të zgjeruar asistencën e USAID-it në fushën e arsimit dhe bujqësisë.

Me këto fonde shtesë, USAID-i synon të ofrojë më shumë mundësi për shkollim për të rinj dhe të krijojë Autoritetin për Ofrimin e Kredive Zhvillimore, me qëllim të krijimit të portfolios së kredive për bujqit kosovarë, përfshirë këtu edhe femrat.

USAID-i i realizon aktivitetet e këtilla në partneritet me Ministritë e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe agjencitë përkatëse. 

“Fuqia e Kosovës qëndron në shfrytëzimin e talenteve dhe shkathtësive të të gjithë qytetarëve të saj”, theksoi Ambasadorja Jacobson.

“Investimet në këtë Marrëveshje përfshijnë një varg iniciativash për demokraci, sundim të ligjit dhe arsim, të cilat do t’i ndihmojnë qytetarëve të Kosovës ta realizojnë potencialin e plotë të vendit të tyre si një shoqëri dinamike dhe demokratike.

Ky investim, me vlerë prej shumë miliona dollarësh, e pasqyron përkushtimin e sinqertë të Shteteve të Bashkuara për të mbetur mik dhe partner i Kosovës, në rrugëtimin e saj drejt së ardhmes evropiane”. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)