SHBA ndan 1.5 milion dollarë për aftësimin e fuqisë punëtore në Kosovë
Prishtinë, 28 nëntor - Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) njoftoi lidhur me dy programe të reja që synojnë ndërtimin e shkathtësive dhe aftësive të fuqisë punëtore për rininë e Kosovës.
Përmes këtyre programeve, Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka ndarë rreth 1.5 milion dollarë amerikan për realizimin e këtij qëllimi.
Partneriteti për Ndikim në Sektorin e Veshëmbathjeve dhe Partneriteti për Ndikim në Teknologjitë e Informacionit do t’u sigurojnë Kosovarëve të rinj që hyjnë në fuqinë punëtore shkathtësitë e duhura.
Papunësia e lartë tek të rinjtë është njëra ndër çështjet kyqe me të cilat ballafaqohet Kosova meqë aktualisht të rinjtë kanë gjasa dyfish më të mëdha që të jenë të papunë se pjesa tjetër e të rriturve.
Eshtë e vështirë që të përmbysen shifrat kur kihet parasysh se gjysma e populates së Kosovës është nën moshën 25 vjeç, ndërsa sistemi arsimor është i paaftë që t’i pajisë ata me njohuritë dhe shkathtësitë e domosdoshme për t’i plotësuar kërkesat e tregut të fuqisë punëtore, sidomos në sektorin privat.
Sikurse ka thënë Drejtori i USAID-it për Kosovën Xhejms Houp - “Për të qenë të suksesshëm në vendin e punës apo si ndërmarrës, të rinjtë duhet të zhvilojnë shkathtësitë e duhura të komunikimit, shkrimit dhe të menduarit kritik që i bëjnë ata të kenë vetëbesim, gatishmëri dhe sukses si punëtorë në cilëndo fushe.”
Të dy komponentat e Partneritetit për Ndikim u sigurojnë të rinjve trajnime duke u lehtësuar shfrytëzimin e mundësive për vetëpunësim në sektorët e teknologjive të informacionit dhe veshëmbathjeve.
USAID-i po punon drejtpërdrejtë me dy partnerë të sektorit privat në implementimin e programeve: Shoqatën Kosovare për Marketingun e Veshëmbathjeve (KAMA) dhe Cacttus Education.
Partneriteti për Ndikim në Sektorin e Veshëmbathjeve fokusohet në punën praktike, veçanërisht për gratë e reja, me qëllim të avancimit të shkathtësive të tyre dhe zgjërimit të qasjes në kompanitë e veshëmbathjeve për punësim.
Partneriteti për Ndikim në Teknologjitë e Informacionit fokusohet në lehtësimin e shfrytëzimit të mundësive për vetëpunësim përmes inkubacionit dhe ndërmarrësisë, kombinuar me praktikë profesionale dhe vendosje në punë.