18 Maj 2024

SHBA: Mosmarrëveshjet politike kërcënojnë ekonominë

Washington, 28 korrik - Para një viti, shumë amerikanë u shtangën kur mosmarrëveshjet partiake mes republikanëve të opozitës dhe Partisë Demokrate të Presidentit Barack Obama e çuan vendin në prag të falimentimit – pamundësisë për të paguar këstin e borxhit gjigand të vendit. Mosmarrëveshjet politike shkaktuan uljen e kreditimit për Shtetet e Bashkuara.

Vendi tani përballet me probleme më të mëdha financiare në mes të një atmosfere tepër partiake, ndërsa afrohen zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
 
Gjatë debatit për kufirin e borxhit, një gazetë popullore i portretizoi politikanët e njohur nga të dyja partitë politike si fëmijë në pelena.

Washingtoni gati sa nuk u paralizua nga debatet, ndërsa politikanët përpiqeshin të merrnin vendime të vështira politike dhe financiare.

Mosmarrëveshjet nxitën kompaninë Standard & Poor’s që të ulte shkallën e kreditimit për Shtetet e Bashkuara.

Nikola Swann është analist i njohur i kësaj kompanie.

“Kohët e fundit ka pasur një përkeqësim të madh si në frontin politik edhe atë fiskal: Në frontin fiskal për sa i përket borxhit qeveritar në proporcion me ekonominë dhe në aspektin politik gatishmëria e politikanëve për të parandaluar këtë keqësim”.

Ekonomistët thonë se polarizimi që ekziston në këtë vit zgjedhjesh mund të përkeqësojë edhe më tej politikat paralizuese të Uashingtonit.

Vitin e kaluar, debatet në Kongres u përqëndruan në përpjekjet për të ngritur tavanin ligjor të borxheve të qeverisë për të financuar pagimin e deficiteve dhe të kësteve. Këto shkaktuan shqetësime për disa investitorë edhe kur u arrit një marrëveshje që shtyu marrjen e disa vendimeve të vështira politike dhe financiare.

Tani Kongresi duhet të diskutojë përsëri për tavanin e borxhit si dhe të bjerë dakord lidhur me nivelin e taksave, që skadojnë në fund të këtij viti. Pa një marrëveshje, qeveria përballet me shkurtime të mëdha shpenzimesh, që do të ndikonin ndjeshëm në ushtri dhe në programet shoqërore popullore.

Kryetari i Bankës Qendrore amerikane, Ben Bernanke tha se një gjë e tillë mund ta çojë vendin përsëri në recesion.

“Nëse do të lejohej që të hynte në fuqi ngritja e taksave dhe shkurtimi i shpenzimeve, atëherë në fillim të vitit të ardhshëm mund të ndodhë një skenar i cili shpesh quhet greminë financiare, dhe në vitin 2013do të krijoheshin rreth 1.2 milion më pak vende pune”.

Ekonomisti i Institutit Brookings, Phillip Wallach parashikon që demokratët dhe republikanët në Kongres më në fund do të arrijnë një marrëveshje.

“Udhëheqja republikane bëri kompromis vetëm për të arritur një marrëveshje në minutën e fundit. Dhe nëse dikush do të vinte bast për një marrëveshje para fundit të këtij viti, ajo që ndodhi vitin e kaluar do të ndodhë përsëri sepse republikanët nuk duan të mbajnë përgjegjësi për zhytjen e ekonomisë në kaos”.

Pra, Kongresit dhe Presidentit u kanë mbetur vetëm pak muaj që të përfundojnë detyrën e vështirë për arritjen e një marrëveshjeje mbi shpenzimet dhe taksat në një mënyrë që nuk dëmton ekonominë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)