SHBA miraton 2 trilionë dollarë ndihmë ekonomike kundër koronavirusi
Washington, 25 mars - Drejtuesit e Shtëpisë së Bardhë dhe Senatit arritën marrëveshje historike pas mesnate mbi një paketë të ndihmës ekonomike prej 2 trilionë dollarëve lidhur me shpërthimin e koronavirusit, duke i dhënë fund polemikave të nxehta midis demokratëve dhe republikanëve.
"Zonja dhe zotërinj, i dhamë fund", tha drejtori i çështjeve legjislative të Shtëpisë së Bardhë, Eric Ueland, derisa u largua nga zyra e udhëheqësit të shumicës së Senatit, Mitch McConnell, republikan nga Kentucky.
Lideri i pakicës së Senatit, Chuck Schumer, tha se kjo pako do t'u mundësojë kompanive të kalojnë pandeminë dhe të ndihmojnë familjet amerikane.
Sipas “Los Angeles Times”, pakoja përfshin pagesë të drejtpërdrejt për amerikanët dhe një fond gjysmë trilion dollarësh për korporatat amerikane.
Detajet e plota nuk janë publikuar.
Gjithsej 163 persona kanë vdekur të martën, duke çuar numrin e vdekjeve në SHBA në 700, pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi se vendi mund të jetë epiqendra tjetër e koronavirusit me mbi 50 mijë raste të infeksionit.
Ekonomia e SHBA-ve ka rënë kur pandemia e koronavirusit u përhap brenda kufijve të saj, me të tre indekset e aksioneve që tregojnë humbje të mëdha pas niveleve të larta të të gjitha kohërave në fillim të këtij viti