SHBA, më pak pesimizëm për ekonominë
Washington, 1 tetor - Amerikanët shfaqën më pak pesimizëm për ekonominë në fund të shtatorit, gjë që mund të çojë në rritje të shpenzime të konsumatorëve, një element i rëndësishëm ky për rritjen ekonomike.
Një raport i publikuar sot nga Universiteti i Miçiganit tregon se prirjet e konsumatorëve patën një përmirësim modest ndërkohë që zhgënjimi i amerikanëve ndaj betejës politike në Uashington është zbehur paksa.
Por të dhënat tregojnë se amerikanët janë ende të shqetësuar për papunësinë e lartë, tregun e trazuar të banesave dhe çmimet në rënie të aksioneve.
Një raport tjetër flet për rritje të veprimtarisë së biznesit në shtetet qendrore të vendit e ndihmuar kjo nga porositë e reja dhe një përmirësim në shifrat e punësimit.
Ndërkohë, ekspertët e qeverisë njoftojnë se të ardhurat ranë paksa në muajin gusht, rënia e parë në rreth dy vjet.
Ndërkohë të dhënat e Departamentit të Tregtisë tregojnë se shpenzimet e konsumatorëve u rritën paksa dhe ata kursyen më pak.
Ekonomistët i ndjekin me vemendje të ardhurat dhe shpenzimet e konsumatorëve, sepse kërkesa e konsumatorëve është ndër faktorët kryesorë që gjenerojnë veprimtarinë ekonomike në Shtetet e Bashkuara.