SHBA mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 6 gusht - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli ka pritur sot zyrtarët e lartë të sektorit të ekonomisë në Ambasadën së SHBA-së në Prishtinë, Todd Christensen dhe Cavan Fabris, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet aktuale në fushën e ekonomisë dhe avancimin e bashkëpunimit ekonomik mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me këtë rast Ministri Ismajli ka informuar zyrtarët e Ambasadës Amerikane me proceset ekonomike në vend, projektet që janë në zhvillim e sipër, ndërsa ka vlerësuar ndihmën e SHBA-së për Kosovën në të gjitha fushat.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e zyrës ekonomike të Ambasadës së SHBA kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim me MZHE-në në fusha që nxisin zhvillimin ekonomik në vend, si në energji, energji të ripërtëritshme, nxitjen e prodhimit me qëllim të zgjerimit të mundësive për eksport etj.
Ata kane ritheksuar gatishmërinë e Qeverisë së SHBA-së për dialog të hapur me synimin që të ndihmojë Kosovën në shtyrjen përpara të proceseve të mëdha që ndikojnë në zhvillim ekonomik.
Në këtë linjë Ministri Ismajli potencoi rëndësinë e organizimit të një konference të donatorëve që do të mblidhte investitorë të jashtëm me qëllim të targetimit të fushave përkatëse ku ekziston një potencial i madh për realizimin e investimeve që do të ndikonin dirket në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.