SHBA mbështet zhvillimin ekonomik të Kosovës
Prishtinë, 29 gusht - Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka deklaruar se ka marrë mbështetjen e pakursyer nga ambasadorja e SHBA-së në Prishtinë që në të gjitha sektorët që mbulon MZHE do të ketë një angazhim maksimal në funksion të zhvillimit ekonomik të Kosovës.
Këto komente Beqaj i bëri pas takimit njohës me ambasadoren e SHBA-së në Prishtinë Tracey Jacobson me të cilën ka diskutuar për përkrahjen politike dhe ekonomike që SHBA-të i kanë bërë Kosovës në vitet më të rëndësishme të shtetformimit, por edhe tani ku vendi ka hyrë në fazën e rëndësishme të zhvillimit të agjendës për të krijuar një jetë më të mirë për qytetarët e Republikës së Kosovës kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një angazhim maksimal.
Beqaj tha se e ka njoftuar diplomaten amerikane për projektet që janë duke u bërë në energji, procesin privatizimit të distribucionit, TC Kosova B, TC Kosovën e Re dhe investimet e tjera, që janë paraparë në energjinë e ripërtëritshme.
E njoftova për konferencën e donatorëve e cila do të mbahet në nëntor në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe KE. E njoftova gjithashtu për procesin e privatizimit të PTK-së, një proces deri më tash mjaft i suksesshëm, ku kemi një angazhim serioz të kompanive botërore, tha Beqaj.
Ministri tha se pjesë e bisedës ishin edhe sistemi dhe puna e cila është duke e bërë për ringjallur sektorin e minierave, një sektor jashtëzakonisht i rëndësishëm që ka potencial në krijimin e vendeve të reja të punës.
Biseduam gjithashtu për ndërmarrjet publike dhe nevojën e ristrukturimit, të ngritjes së kapaciteteve të këtyre ndërmarrjeve, të cilat në parim do të përmirësojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë jetën e qytetarëve, tha Beqaj duke shtuar se ka marrë përkrahjen e pakursyer të ambasadores që në të gjitha këta sektorë do të ketë një angazhim maksimal të tyre, të USAID-it dhe të ekspertëve të cilët mund të angazhohen ndërkohë.
Nga ana e saj, ambasadorja Tracey Jacobson konfirmoi se në këtë takim ka pasur rastin që nga ministri Beqaj që të njihem me projektet e ministrisë, për fushat të cilat janë të rëndësishme për zhvillimin ekonomik të Kosovës duke përfshirë energjinë.
Ajo është shprehur e kënaqur për rolin e Qeverisë amerikane dhe të USAID-it, të cilët kanë ofruar mbështetje teknike në projektet konkrete, ndërsa ka vlerësuar fokusin e MZHE-së dhe Qeverisë në procesin e privatizimit, i cili po zhvillohet konform standardeve ndërkombëtare dhe transparencë të plotë.