ShBA lehtëson sanksione ekonomike ndaj Kubës
Washington, 16 janar - Shtetet e Bashkuara lehtësuan rregulla të tjera ndaj Kubës duke e bërë më të lehtë tregtinë dhe udhëtimin për amerikanët.
Rishikimi i bllokadës nga Departamenti i Thesarit dhe i Tregtisë tani u lejon amerikanëve të përdorin kartat e kreditit në Kubë dhe kompanitë amerikane të eksportojë disa teknologji.
Amerikanët mund të marrin në shtëpi deri në 100 dollarë alkool dhe duhan nga Kuba. Ndërkohë tani nuk ka më nevojë për leje të posaçme për të udhëtuar në ishull.
Sekretari i shtypit i Shtëpisë i Bardhë Josh Earnest: \"Njoftimi i sotëm me përcaktimet e reja nga Departamenti i Tregtisë dhe i Thesarit është tregues i ndryshimit të politikës ndaj Kubës që presidenti dëshiron të ndjekë. Kjo përbën në thelb, normalizimin e marrëdhënieve me Kubën dhe lejimin e tregtisë dhe lëvizjen e lirshme të turistëve.\"
Rishikimi i rregulloreve i shërben zbatimit të marrëveshjes së muajit të kaluar për rivendosjen e lidhjeve diplomatike të ndërprera që nga viti 1961.
Më herët këtë javë, ShBA-ja konfirmoi se Kuba kishte liruar 53 të burgosur politikë, siç ishte rënë dakord në marrëveshjen historike.